Ambasadori gjerman shkruan për 100 ditët, veçon mikpritjen e kosovarëve

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka shkruar për 100 ditët e tij të para në vendin tonë.

Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka veçuar ngrohtësinë e mikpritjes të cilën e ka ndjerë kudo që ka shkuar.

“Një nga përshtypjet e mia më të forta nga ditët e mia të para në Prishtinë -dhe diçka që më ka mbetur në mendje që atëherë -është ngrohtësia e jashtëzakonshme e mikpritjes që kam ndjerë kudo që shkoj. Që nga fillimi, jam pritur me mirësi, hapje dhe buzëqeshje të sinqerta.

“Sigurisht, filloi këtu në Prishtinë, por kurioziteti im më çoi shpejt përtej qytetit. Kam bërë ecje në malet pranë Brodit, kam bredhur nëpër qytetin e vjetër simpatik të Prizrenit, kam vizituar manastirin e bukur në Deçan dhe kam udhëtuar në veri – dhe kudo që kam qenë, përvoja ka qenë e njëjtë: njerëz mikpritës, biseda kuptimplote dhe një ndjenjë e thellë lidhjeje me Gjermaninë”, tha ai.

Diplomati gjerman theksoi mes tjerash se bukuria e Kosovës nuk kërkon udhëtim të gjatë.

“Të njohësh këtë vend përmes njerëzve të tij ka qenë kënaqësi. Dhe bukuria e Kosovës nuk kërkon as udhëtim të gjatë- fillon pikërisht në pragun tim kur shkoj për një vrapim nëpër Parkun Gërmia gjatë fundjavave.

Pres me padurim ditë të tjera të mrekullueshme këtu në Kosovë”, deklaroi Rudolph