Milan-Maignan, jemi shumë pranë rinovimit. Firma pritet javën e ardhshme

Mes Mike Maignan dhe Milanit klima është qetësuar. Tensionet e së kaluarës janë lënë pas dhe sot të dyja palët duken të vendosura të vazhdojnë së bashku. Siç shkruan “Gazzetta dello Sport”, mungon vetëm firma në kontratën e re; dialogu është i vazhdueshëm dhe konstruktiv. Ka ende disa detaje për t’u sistemuar, por klubi, lojtari dhe agjentët po ecin në të njëjtin drejtim, atë të rinovimit të shumëpritur.

Edhe çështja e komisioneve për agjentët, që javët e fundit ishte pengesa kryesore, nuk duket më e pakapërcyeshme. Pas transfertës në Romë pritet një takim vendimtar me agjentin e francezit, i pranishëm në Milano ditët e fundit. Këtë herë optimizmi është konkret. Oferta në tavolinë është 5 milionë euro neto, plus bonuse, kontratë deri në vitin 2031 dhe pa klauzolë largimi.

Një skenar krejt ndryshe nga fillimi i sezonit. Verën e kaluar, Maignan ishte pranë Chelsea, por Milani refuzoi ofertën. Më pas drejtuesit, me Taren dhe Furlanin në krye, së bashku me Allegrin dhe stafin, punuan për të rregulluar raportin. Rezultatet e mira, paraqitjet bindëse dhe harmonia me stafin e kanë rikthyer entuziazmin. Sot Maignan dëshiron të qëndrojë.

The post Milan-Maignan, jemi shumë pranë rinovimit. Firma pritet javën e ardhshme appeared first on Telesport.