Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur të propozojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, duke ndjekur procedurën e përshpejtuar.
Sipas vendimit të qeverisë, marrëveshja do të ratifikohet përmes përfaqësimit të Kryeministrit Edi Rama. Teksti i projektligjit dhe relacioni shoqërues, që janë pjesë përbërëse e vendimit, përcaktojnë se ky hap formalizon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke forcuar angazhimin e vendit në promovimin e stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky zhvillim vjen pasi kryeministri Rama ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të qenë anëtar themelues i Bordit të Paqes për Gazën. Megjithatë, Rama ka theksuar se përfshirja e Shqipërisë në këtë nismë do t’i nënshtrohet fillimisht miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë.
Nuk është bërë e ditur ende se kur pritet që projektligji të shqyrtohet në seancë plenare, ndërsa autoritetet kanë theksuar se procedura e përshpejtuar synon të përshkojë më shpejt hapat ligjorë të nevojshëm për ratifikimin e marrëveshjes.










