Marc-André Ter Stegen ka vendosur t’i bashkohet Girona në formë huazimi deri në fund të sezonit. Portieri 33-vjeçar gjerman synon të rifitojë qëndrueshmërinë dhe kohën e lojës për të mbajtur gjallë shpresat e tij për një thirrje për Kupën e Botës 2026 me Gjermaninë.
Para largimit, gjermani donte t’u thoshte lamtumirë shokëve të ekipit dhe klubit me një mesazh emocional në rrjetet sociale: “Sot është dita ime e fundit me shokët e ekipit dhe stafin. Kam ndjenja të përziera: kaq shumë kujtime dhe momente të paharrueshme”.
“Ky klub dhe kjo dhomë zhveshjeje kanë qenë shtëpia ime për gati 12 vjet. Pata nderin të mbaja shiritin e kapitenit, një përvojë që do ta mbaj gjithmonë me vete. Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për gjithë mbështetjen që kam marrë”, tha Ter Stegen.
Në dymbëdhjetë sezone me klubin “blaugrana”, ai bëri 423 paraqitje zyrtare, duke fituar një Ligë të Kampionëve, gjashtë tituj të ligës spanjolle, gjashtë tituj të Kupës së Mbretit, një Superkupë Evropiane dhe një Kupë Bote për Klube.
I konsideruar si një nga portierët më të kompletuar në futbollin modern, Ter Stegen vlerësohet për lëvizjen e tij me këmbë, reflekset e shpejta, gjuajtjet e sigurta nga afër dhe aftësinë e tij për të udhëhequr mbrojtjen me personalitet dhe lidership.
The post Ter Stegen i thotë lamtumirë skuadrës: 12 vite të paharrueshme, pata nderin të jem kapiten i një klubi të madh appeared first on Telesport.










