Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM) ka njoftuar se ka kërkuar zyrtarisht nga Policia e Kosovës nisjen e hetimeve lidhur me dëmtimet e evidentuara në Kompleksin Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan të Podujevës.
Sipas njoftimit të Agjencisë, pas pranimit të raportit për dëmtimet, Drejtori Ekzekutiv i Kompleksit Memorial, më 6 korrik ka paraqitur kërkesë për inicimin e hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë dhe në Stacionin Policor në Podujevë.
“AMMKM ka nën menaxhim Kompleksin Memorial ‘Kulla e Zahir Pajazitit’ në Orllan, në bazë të kontratës publike kornizë me nr. 207-AMMKM-25-6581-2-1-1/C86 – Mirëmbajtja e Kompleksit Memorial ‘Kulla e Zahir Pajazitit’ në Orllan, Komuna e Podujevës, e cila ka hyrë në fuqi më 28.08.2025 dhe përfundon me datën 28.08.2028”.
Po ashtu, aktualisht është duke u zbatuar edhe projekti për ndërhyrje emergjente në këtë kompleks memorial, me qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e gjendjes së tij.
“Njëkohësisht, Agjencia është duke realizuar edhe projektin “Intervenime Emergjente në Komplekse dhe Memoriale, Varreza të Dëshmorëve dhe Martirëve – Kosovë – Intervenime Emergjente në KM ‘Kulla e Zahir Pajazitit’, Orllan – Podujevë”, sipas kontratës nr. 207/27900-25-9937-5-2-1/C97, me qëllim të ruajtjes dhe përmirësimit të gjendjes së këtij Kompleksi Memorial”, thuhet në njoftim.
Sipas AMMKM-së, në bashkëpunim me institucionet kompetente do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për sanimin e dëmtimeve, ndërsa opinioni publik do të informohet për zhvillimet e mëtejme pas raportit zyrtar të organeve të rendit.
Agjencia ka theksuar se institucionet përgjegjëse janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e vlerave të Luftës Çlirimtare dhe monumenteve të mbrojtura me legjislacionin në fuqi.







