Sonte në Pressing po diskutohet për betimin e kryetarëve në komunat veriore dhe mënyrën se si u zhvillua ky proces, përplasjet në distancë mes akterëve politikë si dhe listat zgjedhore të partive. Në studio janë Baton Haxhiu, Ilir Mirena, Parim Olluri, Blerim Latifi si dhe në lidhje direkte është Bleron Baraliu.
Blerim Latifi tha se qasja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Veriut ka qenë e gabuar, duke e promovuar atë si “fitore ushtarake”.
“Edhe atij nuk i pëlqen fort kjo punë, dhe nga dita e sotme nuk mund të vazhdojë kështu, sepse tani atje kemi një pushtet legjitim, i dalë nga zgjedhjet e Republikës së Kosovës, me ligjet dhe flamurin e Kosovës. Kjo varet nga mënyra se si qendra do të dialogojë me të”, tha Latifi.
Ai shtoi se shteti duhet të ndërmarrë një qasje të re ndaj Veriut, duke e larguar atë nga roli i “kartës elektorale”.
“Të dalë një qeveri e re dhe të mendojë një qasje të re ndaj Veriut. Veriu përfundimisht duhet të hiqet si kartë elektorale, sepse nuk fitohen më zgjedhjet me Veriun”, theksoi Latifi.











