Një shtetas shqiptar që po vuan një dënim me burg në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunim është i kërkuar nga autoritetet në Kosovë për një grabitje të armatosur të ndodhur para shtatë vitesh.
Rinor Korqa, 28 vjeç, u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burg në janar 2024 për rolin e tij në një sulm “grabitqar” ndaj një gruaje në qarkun londinez të Havering. Viktima, e cila ishte ndarë nga shoqet gjatë një nate jashtë, tregoi se u përdhunua nga një burrë, ndërsa një bashkëpunëtor filmoi ngjarjen me telefonin e tij.
Tani Korqa përballet me ekstradimin në Kosovë, ku kërkohet të dalë para gjykatës për grabitjen e supozuar të kryer në rajonin e Prishtinës më 22 dhjetor 2017. Ministrja britanike e Brendshme, Shabana Mahmood, pritet të marrë vendimin përfundimtar, pasi kërkesa ka qenë në shqyrtim në gjykatat britanike prej shtatë muajsh.
Sipas akuzave, Korqa ka hyrë në banesën e familjes Jashari në fshatin Havjali dhe ka vjedhur një portofol me 1,500 euro, 50 dollarë, një dokument identifikimi, një monedhë ari dhe një telefon. Thuhet se ai ka pasur me vete një armë zjarri ose një armë imituese. Ai u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Kosova për vepra të dyshuara sipas Aktit të Vjedhjes 1968 dhe Seksionit 72 të Aktit të Ekstradimit 2003.
Kosova, e cila ka një marrëveshje “tipi B” me Mbretërinë e Bashkuar, duhet të paraqesë prova “prima facie” për mbështetjen e kërkesave të saj për ekstradim. Kërkesat e tilla shqyrtohen fillimisht nga gjykatat, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga Sekretari i Shtetit.
Korqa, nga Romfordi në Lindje të Londrës, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Bujar Jashari nga Southend, u dënuan më 24 janar të vitit të kaluar nga Gjykata e Kurorës në Snaresbrook, pasi u shpallën fajtorë dy ditë më parë. Korqa u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burg për përdhunim dhe për mosdhënie të kodit PIN të telefonit të tij, ndërsa Jashari, 36 vjeç, u dënua me shtatë vjet burg për përdhunim.
Sulmi ndodhi më 25 qershor 2023 në qendër të Hornchurch, kur viktima u afrua nga dy burra në një bar, ku ajo ndodhej vetëm pasi ishte ndarë nga shoqet. Ajo u dërgua me makinë dhe u përdhunua nga njëri prej tyre, ndërsa tjetri e filmoi ngjarjen. Stafi i lokalit bashkëpunoi me policinë, ndërsa punonjës të një bari tjetër thanë se të dyshuarit ishin parë duke iu afruar disa grave përpara se të largoheshin me viktimën.
Detektivi Charlie Yexley, nga departamenti hetimor i Havering-ut, deklaroi pas shpalljes së dënimeve: “Ky ishte një hetim kompleks ndaj dy sulmuesve grabitqarë, të cilët me shumë gjasa do të vazhdonin të kryenin vepra të tilla po të mos ishte për guximin e viktimës që denoncoi ngjarjen. Ne i marrim shumë seriozisht akuzat e këtij lloji dhe shpresoj që ky rast t’i inkurajojë edhe viktimat e tjera të përdhunimit dhe sulmeve seksuale të dalin përpara, të paktën që të sigurohemi se janë mirë dhe të mbështetura”./Metro.co.uk











