Self gjatë fjalimit të tij ka konsideruar se Kosova do të ishte veçanërisht e ekspozuar ndaj një konflikti të ri në Ballkan për shkak se nuk është anëtare e NATO-s.
Në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kryetari i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, gjatë dëgjesës së posaçme me temë “Pika e Tensionit: Një Rrugë drejt Stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, vlerësoi se çështja e pazgjidhur në mes të Kosovës dhe Serbisë “është një nga faktorët kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale”, e cila, beson ai, ka krijuar një vijë të thellë strategjike që i mundëson Rusisë të minojë aftësinë e “BE-së dhe NATO-s për të fuqizuar vendet e Ballkanit”.
“Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila synonte uljen e menjëhershme të tensioneve dhe ringjalljen e marrëveshjeve të mëparshme, ka ngecur. Kriza zgjedhore në Kosovë e ka përkeqësuar situatën si rezultat i dështimit të Republikës për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve të 25 shkurtit, gjë që ka çuar Kosovën në përgatitjen për një tjetër palë zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor”, ka vlerësuar Self, përfaqësues i Partisë Republikane.
Self gjatë fjalimit të tij ka konsideruar se Kosova do të ishte veçanërisht e ekspozuar ndaj një konflikti të ri në Ballkan për shkak se nuk është anëtare e NATO-s. Andaj, sipas tij, shtetet ballkanike të cilat janë të anëtarësuar në NATO duhet të punojnë së bashku për të parandaluar një mësymje ushtarake dhe politike në këtë rajon.
Self ka prekur edhe çështjen e Luginës së Preshevës, me theks të veçantë temën e pasvizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi.
“Raportimet e përhapura për pasivizimin e Luginës së Preshevës janë mirë të dokumentuara nga disa burime, të cilat pretendojnë se ka një përpjekje të koordinuar për ta spastruar luginën nga shqiptarët etnikë”, tha ai.
Ndërkaq kongresmeni nga radhët e demokratëve, Bill Keating, ka bërë thirrje Administratës së Donald Trump që t’u japë siguri aleatëve dhe partnerëve në rajon se SHBA-të do të mbeten të angazhuara dhe të përkushtuara ndaj së ardhmes së rajonit.
“Kjo përfshin ruajtjen e pranisë ushtarake të SHBA-ve në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe zbatimin e plotë të programit kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Kosovë për të rritur sigurinë energjetike. Kam qenë krenar që kam ndihmuar në lehtësimin e nënshkrimit të atij kompakti pikërisht në këtë sallë në vitin 2022, dhe e vlerësoj faktin që administrata po e vazhdon këtë program”.











