Barcelona nuk heq dorë nga Harry Kane, “9”-shi anglez paska edhe klauzolë dimërore

Harry Kane (32 vjeç) është një nga sulmuesit që figuron në listën e objektivave të Barcelonës për ta forcuar skuadrën sezonin e ardhshëm. Klubi po kërkon një golashënues të nivelit të lartë për të zëvendësuar Lewandowskin, i cili e përfundon kontratën në fund të sezonit dhe do të mbushë 38 vjeç në gusht. Emri i sulmuesit anglez po fiton terren si kandidat.

Një nga faktorët që e bëjnë Kane tërheqës për Barcelonën është mundësia e largimit nga Bayern Munich me një çmim të caktuar. Kontrata e tij skadon më 2027, por ka një klauzolë lirimi që mund të aktivizohet në rast marrëveshjeje me lojtarin. Vlerësohet se klauzola është 65 milionë euro, një shifër e përshtatshme krahasuar me top-sulmuesit aktualë.

Nga Bayerni konfirmojnë se kjo klauzolë vlen edhe për merkaton dimërore. Uli Hoeness, presidenti nderi i bavarezëve, deklaroi: “Ka pasur një klauzolë lirimi deri në fund të janarit çdo vit, por supozojmë se do ta përmbushë kontratën deri në 2027. Nëse është për ne, do t’ia rinovonim kontratën. Familja e tij ndihet shumë rehat në Bavari”.

Kane tha javën e kaluar se është “i lumtur në Mynih” dhe nuk e konsideron ndryshimin e ambientit sezonin e ardhshëm, por nuk ka nisur ende negociata për rinovimin e kontratës. Barça do të vendosë nëse do ta tentojë nënshkrimin e sulmuesit anglez, që vazhdon të tregojë efikasitet të jashtëzakonshëm.

The post Barcelona nuk heq dorë nga Harry Kane, “9”-shi anglez paska edhe klauzolë dimërore appeared first on Telesport.