Real Madridi është aty ku pritet të jetë: në vend të parë në La Liga, një pikë mbi Barcelonën. Sidoqoftë, ekipi i bardhë vjen pas dy barazimeve radhazi, loja nuk bind. Sipas mediave spanjolle marrëdhënia mes dhomës së zhveshjes dhe Xabi Alonso është e tensionuar. Disa lojtarë madje do të donin shkarkimin e trajnerit. Situatën e acaron edhe rasti “Vinicius Junior”, i cili është i pakënaqur dhe pranë largimit.
Goli i Bellingham në minutën e 87-të kundër Elche shmangu humbjen, por mediat flasin për një “stuhi te Reali”: tifozë të zemëruar dhe një pjesë e skuadrës e pakënaqur me menaxhimin e Xabi Alonso. Trajneri nuk konsiderohet në rrezik nga klubi, por ka mospërputhje të mëdha me disa lojtarë. Vinicius është në prishje të plotë marrëdhënies me trajnerin, pas zëvendësimit në “El Clasico”.
Sipas “The Athletic”, ai ka njoftuar klubin se nuk do të rinovojë (kontrata i skadon më 2027) për sa kohë Alonso është trajner. Tensionet nisën në Botërorin e Klubeve, ku u la fillimisht jashtë formacionit dhe më pas luajti “jashtë pozicionit”. Rinovimi ishte bllokuar prej muajsh; Reali i ofron 20 milionë në vit, por ai kërkon më shumë. Largimi i brazilianit duket gjithnjë e më i mundshëm.
The post Tërbimi i Vinicius, barazimet dhe dhoma e zhveshjes kundër Xabi Alonsos; tension maksimal te Real Madridi appeared first on Telesport.











