Kosova po përballet me një krizë energjetike në përshkallëzim, teksa sërish po paralajmërohet rritje e pashmangshme e çmimit të rrymës në vitin 2025, e nxitur nga importet rekord dhe performanca e dobët e prodhimit vendor. Në dritën e këtyre zhvillimeve, nga partitë ish-opozitare akuzojnë ish-Qeverinë Kurti për keqmenaxhim sistematik dhe se subvencionimi real po përfundon në “xhepat e tregtarëve të energjisë.”
Eksperti financiar, Kushtrim Ajvazi, paralajmëroi për rritje të re dhe thuajse të pashmangshme të çmimit të energjisë elektrike. Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2024, kostoja e importit të energjisë ka tejkaluar të hyrat maksimale të lejuara me 47.8 milionë euro.
Një detaj shqetësues që ai evidenton është se 75% e këtij tejkalimi ka ndodhur vetëm në tremujorin e fundit të vitit.
“Vetëm 3 muaj kanë qenë vendimtarë që çmimi i energjisë të rritet me 16.1% në vitin 2025,” shkroi Ajvazi.
Shpërthimi i importit dhe barra mbi qytetarët
Analiza krahason periudhën Janar-Shtator të vitit 2024 me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke zbuluar një rritje drastike të importit prej 48% (apo 1,011 GËh më shumë).
- Janar–Shtator 2024: 2,100 GWh
- Janar–Shtator 2025: 3,114 GWh
- +1,011 GWh më shumë import, apo 48% rritje vetëm për 9 muaj.
Ajvazi sqaroi se kjo rritje nuk vjen vetëm nga bizneset e mëdha. Sipas përllogaritjeve të tij:
- Rreth 150,000 MWh lidhen me daljen në treg të lirë.
- Rreth 861,000 MWh janë rritje e pastër për konsumatorin universal (familjarët dhe bizneset e vogla).
Eksperti financiar konsideroi se tremujori i fundit i këtij viti do të jetë përcaktues për çmimet e vitit 2026, duke ndjekur të njëjtën formulë. Ai u bën thirrje qytetarëve që të jenë të vetëdijshëm për situatën reale energjetike para se t’u drejtohen kutive të votimit.
“Tremujori i fundit i këtij viti do të përcaktojë saktë se sa do të shtrenjtohet rryma vitin e ardhshëm. Dhe sipas mendimit tim shifrat deri sot tregojnë qartë: ritja e radhës po vjen. Qytetarët duhet ta dinë këtë para zgjedhjeve. Sepse ajo që po vjen pas zgjedhjeve është shumë më e rëndësishme për xhepin e secilit.” – shkroi ai.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka ngritur gjithashtu alarmin për rritjen eksponenciale të varësisë së vendit nga importet, duke e lidhur këtë me dështimin për të përmirësuar performancën e prodhimit vendor.
Shala, në një postim në Facebook, bëri një krahasim të shpenzimeve për import mes vitit 2019 dhe 2024, duke evidentuar një trefishim të kostos:
“Nga viti 2019 deri në vitin 2025, Kosova ka parë një rritje të madhe të varësisë nga importi i energjisë elektrike. Shpenzimet për import janë rritur nga rreth 50 milionë euro në vitin 2019, në mbi 168 milionë euro në vitin 2024. Po ashtu, edhe sasia e energjisë së importuar është rritur dukshëm: nga 890 mijë MËh në vitin 2019 në mbi 1.3 milionë MËh në vitin 2024.
Këto shifra nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, sidomos të termocentraleve të KEK-ut, të cilat vazhdimisht përballen me rënie të njësive, riparime të stërzgjatura dhe efikasitet të ulët. Çdo mungesë në prodhim duhet mbuluar me import, shpesh me çmime të larta, duke krijuar hapësirë për përfitime të ndërmjetësve dhe tregtarëve.
Në fund, barrën e paguajnë qytetarët, përmes rritjes së tarifave të aprovuara nga ZRRE. Një situatë e tillë nuk ndodh pa koordinim institucional, me Qeverinë e Republikës së Kosovës si përgjegjëse direkte.” – shkroi Shala.
Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar mburrjen e deputetëve Albin Kurti dhe Hekuran Murati për “subvencionimin e faturave të energjisë”, duke e cilësuar këtë si “hipokrizinë dhe gënjeshtrën më të madhe”.
Përmes një llogaritjeje krahasuese për muajin tetor, Bajrami ilustron se si “subvencionimi” nuk po e mbulon rritjen reale të çmimeve:
- Tetor 2019: Një familje mesatare paguante 54 Euro.
- Tetor 2025: E njëjta familje paguan 169 Euro (rritje prej 300%).
Gjithashtu, deputetja Bajrami kujtoi goditjen ndaj bizneseve prodhuese, të cilat pas “liberalizimit të tregut” paguajnë 206 Euro për MWh, krahasuar me 75 euro që paguanin një vit më parë.
“Subvencionimi i faturave të energjisë” Energjia – korrupsioni dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj Qeverie. Dje Albin Kurti përmes Hekuran Muratit na njoftoi se në këtë muaj ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike.
Çfarë hipokrizie!
Derisa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare në Kosovë ka paguar 54 Euro. A e dini sa ka paguar e njëjta familje në tetor të vitit 2025? Ka pagu 169 Euro. dmth. 300% më shumë, e tash kishin ”ne jemi për popull dhe po subvencionojmë faturat familjeve”. Por, pos ngritjes së faturës së energjisë elektrike për 300%, rreth 1300 biznese vendore, pjesa dërmuese prodhuese pas “liberalizimit të tregut” çmimin e MËh që tetorin e vitit të kaluar e kanë pagu 75 Euro tash e paguajnë 206 Euro.
Ndërsa të dhënat e Doganës së Kosovës konfirmojnë se derisa Kosova për vitet 2015-2020 ka importu 273 milionë Euro energji, importi i energjisë gjatë pesë viteve të qeverisë së Albin Kurtit 2021 – shtator 2025 ka arritur në 811 milionë Euro. A po e shihni mashtrimin? Ani “po ju subvencionojmë faturat” Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikë në mërgim e nga atje po e financon konsumin në Kosovë (krejt kjo lehtë e faktushme).” – shkroi Bajrami.
+1,011 GWh më shumë import, apo 48% rritje vetëm për 9 muaj.











