Ndonëse nuk dihen shifrat e sakta për numrin e bashkatdhetarëve që vijnë në Kosovë gjatë fundvitit, organizatat që i monitorojnë fushatat dhe proceset zgjedhore vlerësojnë se ndikimi i tyre në rezultat ka qenë i rëndësishëm por jo përcaktues për ndonjë parti. Në anën tjetër ata që jetojnë në Kosovë shprehen të pakënaqur që po brenda tetë muajve po shkojmë dy herë në zgjedhje nacionale.
Të paktën në muajin e fundit jozyrtarisht u përmend që ka tendencë të paktën nga një parti që zgjedhjet të mbahen sa më afër fundit të vitit, dhe kjo u konfirmua dje kur Vetëvendosje e propozoi 28 dhjetorin datë të zgjedhjeve të parakohshme.
E gjithë kjo në përpjekje që shfrytëzohet prezenca fizike e diasporës për votë.
Në zgjedhjet nacionale numri i votave që vijnë nga diaspora shpesh herë i afrohet 70-80 mijëshit.
Televizioni kërkoi nga Policia e Kosovës kemi kërkuar të dhënat për numrin e qytetarëve që hyjnë në territorin e Kosovës gjatë javës së fundit të dhjetorit por ky institucion nuk është përgjigjur.
Nga organizatat që i monitorojnë fushatat por edhe proceset zgjedhore vlerësojnë se çështja e votimit të diasporës as nuk duhet të ekzistojë si temë për llogari politike, dhe se ndikimi i votës së diasporës ka qenë minor, por asnjëherë i parëndësishëm.
“Meqenëse kemi monitoruar nga afër gjithë procesin zgjedhor edhe atë nacional edhe atë në zgjedhjet lokale, është që çështja e diasporës është kriju prej partive politike dhe është përdorur jashtëzakonisht shumë për populizëm. Pra partitë janë në një lloj gare se cila datë të vendoset për zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit edhe duke kalkulu se sa mund të vijnë dhe sa do të jenë prezente matja e diasporës në ato ditë në Kosovë”, tha Burbuqe Kastrati, nga Lëvizja FOL.
Zgjedhjet e parakohshme nacionale u shpallën dje pasi për 7 muaj partitë politike nuk u morën vesh për koalicion dhe për pushtet.
Qytetarët vlerësojnë se këto zgjedhje shumë lehtë mund të shmangeshin, por sipas tyre inatet politike po i vuan populli.
“Absotlutisht shumë lehtë kanë mundur me i evitu këto gjëra, po inati, inati i shqiptarëve shumë i keq, edhe po vuan, kush po vuan, po vuan populli”, tha qytetari, Azem Azemi.
“A për qytetarët Inshallah Zoti jav jep të marën e të mirën e shëndetin, tjetër nuk di çka të them… ja prej politike po të kallxoj sikur 1 e 1 që bëjnë 2 aty nuk hup kurgjo, a prej politike një herë për një herë s’ka kurgjo dashamirë”, tha Nezir Haxholli.
Qytetarët e intervistuar nuk janë entuziast të faktit se për mbi një vit, vendi po shkon tri herë në zgjedhje, një herë për kryetar komunash e dy herë në nivel nacional.
“Po shihet që nuk ka kulturë politike, dhe po dominon egoja, egoja e sëmurë fatkeqësisht, edhe tash e bijnë vete veten dhe popullin në katrahurë që nuk mendohet me mend mos me mendu për çështje kombëtare por vetëm për interesa personale.. se di ku po kanë moral me dalë para popullit me lypë votë apet…”, u shpreh Rexhep Delolli.
Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të datës 9 shkurt ishte 8.7 milionë euro, prej të cilave u harxhuan gati 8 milionë euro. Edhe këtë herë shifra mund të jetë përafërsisht e njëjtë./Tv Dukagjini/











