Po vjen era Kremlin? Manipulimi i frikshëm algoritmik i VV-së në zgjedhjet e sivjetme

Brenda datave 8 dhe 10 shkurt të këtij viti, pikërisht në kohën e zgjedhjeve, janë kryer manipulime të pabesueshme algoritmike për hesap të Vetëvendosjes. Në rrjetin social të TikTokut, pesë profile të ndryshme kanë afishuar plot 18,640 video duke marrë mbi 14 milionë ndërveprime në formë pëlqimesh, komentesh e shpërndarjesh. Që të gjitha këto përmbajtje kanë favorizuar Albin Kurtin, Vetëvendosjen dhe narrativat e tyre, kurse kanë shpërfyturuar kundërshtarët politikë, veçmas PDK-në. Ajo që nisi në vjeshtën e vitit të kaluar si ndërhyrje e dyshimtë nga Rusia në zgjedhjet presidenciale në Rumani, e më pas edhe në Bullgari, duket se ka prekur edhe Kosovën. Në të tri rastet, TikToku është trualli ku janë kryer manipulime të frikshme algoritmike për të krijuar momentum artificial politik ku favorizohen politikanë e parti të caktuara, shpesh antiperëndimore. Me taktikën propagandistike ruse ‘Firehose of Falsehood’ – ku një numër i madh mesazhesh shpërndahen shpejt, përsëritshëm e vazhdimisht në kanale të ndryshme – ‘TikTokracia’ po e rrezikon jo vetëm Kosovën, por edhe Evropën.

Në Kosovë, fotoreporteri nga Gjirokastra, Hamza Hatika, nuk ngjan si dikush i njohur nga bota e medias.

Nga komoditeti i jetës së tij në Toulouse të Francës, ai duket i papërtuar për të propaganduar për ish-kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e për t’i shpërfytyruar kundërshtarët e tij politikë.

Në pamje të parë, llogaria e zotit Hatika në këtë platformë online duket fare e zakonshme.

Me fotografinë e tij në profil, kjo llogari ka 5,002 ndjekës dhe 117 mijë pëlqime.

Por, pak ditë para zgjedhjeve të sivjetme parlamentare në Kosovë, vetëm nga llogaria e këtij ish-gazetari u afishuan mbi 18 mijë video, duke mbledhur më shumë se 13 milionë ndërveprime.

Manipulime algoritmike: nga Rumania deri në Kosovë

Emri i tij është vetëm një fusnotë në tablonë e realitetit të tmerrshëm digjital ku ndikimi algoritmik po i shkatërron demorkacitë e brishta dhe po e vë në pikëpyetje sigurinë e përgjithshme në Evropë.

Studimi më i ri nga organizata The Balkan Free Media Initiative (BFMI), në partneritet me Sensika Techologies në Sofje, ka dritësuar gjetje ngjethëse në rastin e Rumanisë, Bullgarisë dhe Kosovës.

Duke e pasur si vjegëz rastin namkeq të politikanit pro-rus në Rumani Călin Georgescu – i cili duke përfituar nga një fushatë dezinformacioni me prejardhje nga Rusia vjet doli i pari në zgjedhjet presidenciale – analiza shteruese trajton dukurinë shqetësuese sesi algoritmet po e vrasin demokracinë duke përdorur rrengje e marifete të stërholluara në mediat sociale.

Raporti 52-faqësh e tëhollon mirë e mirë dukurinë e manipulimeve algoritmike veçmas në truallin e TikTokut.

E quajtur si epokë e “TikTokracisë” (sundim i TikTokut), kjo pjesë e Evropës Juglindore rrezikon të vijë në gjendjen ku qeveritë nuk zgjedhen nga mbështetja e vërtetë, por nga popullariteti automatik dhe i sajuar.

I titulluar “Të trajtosh TikTokracinë: një model për të luftuar manipulimin algoritmik në Evropë”, raporti shqyrton sesi rezultatet demokratike po formësohen nga operacionet e ndikimit algoritmik dhe ekosistemeve të brishta mediatike.

Analiza merret kryesisht me TikTokun i cili në këtë pjesë të Evropës ka shkallën më të lartë të penetrimit – kjo rrethanë e ka bërë atë si njëfarë qeverie në hije e cila nuk e bën hesap askë.

Narrativat politike në Kosovë formësohen edhe nga TikToku

Ndikimi algoritmik rri i fjetur, por është gjithmonë i gatshëm të aktivizohet e të adaptohet në situata të ndjeshme si zgjedhjet.

Plot katër faqe të kësaj analize i janë kushtuar Kosovës dhe mjedisit online gjatë shkurtit të këtij viti, pikërisht në kohën e zgjedhjeve parlamentare.

Kryegjetja e raportit del të jetë që ka dëshmi të manipulimit algoritmik të ngjashëm me atë që është vënë re në Rumani dhe Bullgari.

Metoda kryesore e manipulimit në Kosovë, sipas raportit, është taktika e quajtur ‘Fire Hose’ që përfshin postime e komentime masive, të sinkronizuara e me uzurpime të hashtagëve.

Raporti ka shqyrtuar më së shumti aktivitetin e dokumentuar për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kreun e saj, Albin Kurti.

“Gjetjet nënvizojnë se TikToku ka luajtur rol domethënës në formësimin e narrativave politike gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, veçmas me TikTokun që, sipas disa vlerësimeve, është media më e përdorur sociale në vend”, shkruan raporti.

“Përpjekje të bashkërenduara për amplifikim”

Aty përkujtohet fakti se të gjitha partitë kryesore në Kosovë kanë prani aktive në TikTok, sadoqë plaforma është ndaluar formalisht në institucionet qeveritare për arsye të sigurisë kibernetike.

“Partia zyrtare dhe llogaritë e liderëve janë në të vërtetë burimi kryesor i narrativave online, që pastaj amplifikohen përmes rrjeteve joautentike apo përmes influencerëve të vërtetë e mbështetësve që mbajnë ‘llogari temash’ (apo gërshëtim të të dyjave, me qëllim të maksimalizimit të arritshmërisë algoritmike)”.

Sipas raportit, figurat kryesore politike përshfaqen në platformën në fjalë, “shpesh duke përfituar tërthorazi prej përpjekjeve të bashkërenduara për amplifikim”.

Në tabelën që e shoqëron këtë pohim bie në sy fakti që Vetëvendosja ka disa llogari aktive në TikTok (aty numërohet deputetja Arjeta Fejza, ish-ministri i Financave Hekuran Murati, deputetja Fitore Pacolli dhe ish-ministri Faton Peci).

Nga kjo parti janë përftuar 16,582 përmendje me hashtagun #Albin Kurti, dhe 2,218 të tjera me hashtagun #Vetëvendosje.

Sado e pakrahasueshme me partinë në pushtet, edhe LDK-ja është pikasur si parti me llogari të shumta në TikTok.

Megjithatë, me hashtagun #LDK ka pasur 6,161 përmendje.

Sipas autorëve të raportit, njësoj si në rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë, përmbajtja në këto rrjete është sajuar asisoj që të apelojë masivisht e të ketë viralitet.

“Përmbajtja jopolitike, sportive e zbavitëse shpesh përzihet me mesazhe politike për të personalizuar dhe ‘brenduar’ krerët partiakë përballë audiencave të reja dhe demografive të tjera kyçe votuese apo për të diskredituar kundërshtarët”.

Influencerët që u aktivizuan nga 8 deri në 10 shkurt

Raporti vë në dukje se metoda më e habitshme e amplifikimit algoritmik ishte e taktika e quajtur ‘Fire House’, me të cilën “vëllime skajshmërisht të larta të postimeve përftohen nga pak akterë – madje edhe nga një i vetëm – me qëllim të vërshimit të sistemit rekomandues të TikTokut”.

Kësisoj, raporti e ka shembullzuar këtë pohim me rastin e llogarisë “@hamzahatika46”, që ka afishuar mbi 18 mijë video gjatë fushatës zgjedhore, duke mbledhur më tepër se 13 milionë ndërveprime.

Pos këtij influenceri, raporti ka stivuar edhe katër raste të tjera tek të cilat ka përmbajtje të vazhdueshme në mbështetje të Kurtit dhe Vetëvendosjes: “@shqiptarivertete”, “@Tokë IliroDardane”, “@Batmank77” dhe “@qeveriakurti3”.

“Një intensitet i tillë postimesh sugjeron bashkërendim të automatizuar ose gjysmë të automatizuar i menduar që të maksimizojë dukshmërinë, për të vërshuar me përmbajtje organike e për të mbizotëruar diskursin. Majat në veprimtari të bashkërenduar, veçmas gjatë ose rreth datave 8-10 shkurt, tregojnë për përpjekje të orkestruara për të formësuar sentimentin dhe dukshmërinë online gjatë një periudhe të ndjeshme politike”, vërën raporti.

Por, manipulimi duket më i gjerë e më i thellë sesa kaq.

Analiza demonstron se është bërë manipulim i gjerë i hashtagëve politikë, gjenerikë e gjeografikë, të tillë si gërshëtimi #lvv apo #ldk me #fyp, #viral dhe #kosova, me qëllim që përmbajtja politike të shpaloset edhe para përdoruesve që nuk ndjekin aktivisht tema politike.

“Ka edhe dëshmi për zaptim të hashtagëve, duke ua bashkëngjitur tagun partive rivale për të qarkulluar përmbajtje kritike ose ngatërruese për kundërshtarët”.

Modeli i mbrapshtë i Kosovës po e vë në rrezik edhe Evropën

Autorët e raportit vlerësojnë se dinamikat algoritmike të TikTokut i bëjnë ekosistemet e vogla digjitale, si Kosova, të brishta ndaj manipulimit.

Sipas tyre, “natyra thelbësisht e pakufi e operacioneve të informimit online, përbën kërcënim mbarëevropian ndaj demokracisë dhe sigurisë, duke nënvizuar nevojën urgjente për Brukselin për të gjetur mënyra për të integruar vendet e tashme kandidate apo ato të mundshme në arkitekturën e mbrojtjes së demokracisë”.

Me këtë rast, autorët e raportit të BFMI-së kanë rekomanduar një mori masash, ku bie në sy edhe edukimi i asaj që quhet afabetizëm digjital (literacy) për të mos rënë pre e manipulimeve algoritmike.

“Konkretisht, kjo mund të përfshijë integrimin e Kosovës dhe vendeve të ngjashme nga ‘vija e frontit’ në mbikëqyrje ndërkufitare e nisma kërkimore; trajnime të vendit dhe rajonit, paketa me mjete dhe forma të tjera të ngjashme për të mbështetur mediat e besueshme për t’iu kundërpërgjigjur këtyre kërcënimeve në kontekstet më të ndjeshme të sigurisë në Evropë; përfuqizimin e financimit të mediave në këto kontekste më përgjithësisht; dhe për t’u siguruar që partnerë nga këto kontekste të pëfshihen në media dhe edukimin e alfabetizmit digjital kundër përfshirjes së pavullnetshme në manipulime algoritmike”.

Demokracia e Kosovës nuk do ta mbijetojë epokën digjitale

Në një shkrim të ndarë, Peter Horrocks, që ishte njëri nga autorët e raportit, ka shkruar se vetëqeverisjet demokratike e kanë të vështirë të mbijetojnë të vetme përballë manipulimeve të tilla.

“Besimi, monedha e brishtë e demokracisë, shkërmoqet shpejt kur votuesit nuk mund të dallojnë mes debatit të njëmendet dhe konsensusit të sajuar. Pasoja është cinizmi, tërheqja, apo edhe më keq: tundimi i përhershëm për të përqafuar të fortit që premtojnë rend e qartësi mes kaosit informativ”, ka shkruar Horrocks.

Sipas tij, manipulimi i metrikave të ndërveprimit e ka çkuptimësuar votën.

“Përvoja e Evropës Juglindore tregon se vetëqeverisja demokratike nuk mund ta mbijetojë vetë epokën algoritmike”.

Lexo edhe: Rumania e pësoi nga dezinformacioni rus, po Kosova?

TikTokracia, sfida e të gjithëve

Ai ka rekomanduar që Evropa t’i fuqizojë kërkesat për transparencë platformash, të përmirësojë gjurmimin e sjelljeve joautentike e të bashkërenduara, duke siguruar që të ketë edukim publik për sa u përket taktikave të manipulimit.

“Alternativa është mjaft e qartë në hijën e TikTokracisë: një demokraci e formësuar nga konsensusi i sajuar sa e ardhmja e saj do të zgjedhet më pak nga votuesit, e më shumë nga cilado fushatë e bashkërenduar e cila qëllon të jetë trendi i radhës”, ka përfunduar Horrocks.

Ndryshe, The Balkan Free Media Initative (BFMI) është një organizatë e pavarur e shoqërisë civile, me seli në Bruksel, e themeluar më 2021 për të adresuar hendekun në llogaridhënie dhe avokimin e çështjeve për lirinë e medias në Evropën Juglindore.

Raporti është ndihmuar edhe nga Sensika Technologies, një kompani nga Sofia, e themeluar më 2012 që zhvillon monitorim mediash me anë të AI-së dhe analizave kërkimore mbi ekosistemet e informacionit dhe dezinformacionit. /Nacionale/