Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do të punojë për ta mbështetur përfundimin e luftës në Sudan, pasi princi saudit, Mohammed bin Salman, kërkoi nga ai që të përfshihej në këtë çështje.
“Ne tashmë kemi filluar që të punojmë në këtë” – tha Trumpi në një konferencë të investimeve saudite një ditë pasi u takua me de fakto udhëheqësin e Arabisë Saudite në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Konflikti në Sudan shpërtheu në vitin 2023 si pjesë e luftës për pushtet mes Forcave të Armatosura Sudaneze dhe grupit paramilitar, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), para një tranzicioni të planifikuar drejt pushtetit civil. Lufta ka shkaktuar gjakderdhje me akuza për krime etnike, shkatërrim të gjerë dhe zhvendosje masive të njerëzve.
Princi saudit beson se presioni i drejtpërdrejtë nga Trumpi nevojitet për të zhbllokuar një ngërç në bisedime për t’i dhënë konfliktit që nisi para dy viteve e gjysmë, duke e përmendur punën e tij për arritjen e armëpushimit në Gaza muajin e kaluar, thanë pesë persona të afërt me çështjen.
“Ai e përmendi Sudanin dje dhe tha, “Zotëri, ju po flisni për shumë luftëra, por është një vend në Tokë i quajtur Sudan dhe është e tmerrshme se çka po ndodh [atje]” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar fjalëve të Bin Salmanit.
Për Arabinë Saudite, zgjidhja e këtij konflikti është e lidhur me sigurinë kombëtare, pasi Sudani ka qindra kilometra vijë bregdetare përballë shtetit më të madh të Gadishullit Arabik, matanë Detit të Kuq.











