Paolo Maldini ishte një nga figurat kryesore në “40° Premio Viareggio Sport”, ku mori një çmim dhe foli gjerësisht për Milanin, derbin, kombëtaren, shkarkimin e Piolit dhe të ardhmen e Daniel Maldinit. Deklarata më e fortë e mbrëmjes ishte ajo e dashurisë së tij të hapur: “Për mua, në Itali dhe jashtë ka vetëm Milan”.
Duke folur për skuadrën kuqezi, Maldini u tregua i kujdesshëm: “E kam pak të vështirë të flas për Milanin, por jam i kënaqur me vendin e tij në renditje”. Për garën e titullit tha: “Napoli, Inter, Juve do të luftojnë deri në fund. Nëse Milani e ruan këtë vend në klasifikim, mund të jetë një tjetër kandidat”.
I pyetur për një rikthim te një klub tjetër, ai u përgjigj prerazi: “Në Itali, sinqerisht, ka vetëm një skuadër, dhe kështu do të jetë. Edhe jashtë vendit”. Për derbin, Maldini parashikoi një ndeshje të fortë: “Do të jetë një derbi i ekuilibruar”, duke shtuar se “derbi nuk përcakton vedriktin final të kampionatit”, pavarësisht serive të fitoreve apo humbjeve në të kaluarën.
Paolo Maldini komentoi shkarkimin e Piolit, pas aventurës në Firence: “Është për të ardhur keq që përfundoi kështu. Nga jashtë nuk është e lehtë të kuptohet, shpresoja të bënte mirë”. Sa i përket thashethemeve që e afronin te Fiorentina, ai sqaroi me humor: “Kushëriri im telefonoi për të më pyetur, por i thashë që nuk dija asgjë. Personalisht nuk kam marrë vesh asgjë”.
Për kombëtaren, Maldini shpreson kualifikimin në Botëror: “Të shpresojmë për gjeneratën e re, për djemtë që s’e kanë parë kurrë një Botëror”. Për Gattuson, tani trajner i Italisë, ai tha: “Mendova se ishte një ide e shkëlqyer, ai mishëronte shpirtin e kombëtares”. Duke folur për të birin, Danielin, tani tek Atalanta, u shpreh: “E nisi titullar, pastaj e pati të vështirë të gjente hapësira. Daniel ka nevojë të luajë”.
The post Paolo Maldini: Për mua, në Itali dhe jashtë vendit, ka vetëm Milan. Ky derbi do të jetë i ekuilibruar appeared first on Telesport.











