Tashmë që ka përfunduar edhe rundi i dytë i zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, është ndarë edhe “shapi prej sheqerit”.
Shumica e kandidatëve tashmë i kanë shpallë fitoret nëpër komunat përkatëse, ndërsa në disa komuna, kundërkandidatët që kanë humbur kanë uruar rivalët e tyre, e disa kanë marrë edhe përgjegjësi.
Nga dy rundet e këtyre zgjedhjeve, dy parti kanë dalë me nga 7 komuna të fituara, në bazë të rezultateve preliminare.
LDK dhe LVV janë “fitueset” e mëdha të këtyre zgjedhjeve, ndërsa kjo e dyta konsiderohet fituesja më e madhe, pasi në mandatin e kaluar ajo qeveriste me gjithsej katër sosh.
Pas tyre është PDK-ja me 6 komuna, kurse AAK ka dalë nga këto zgjedhje me 5 kryetarë.
Drenasin e fitoi në rundin e parë Ramiz Lladrovci me iniciativën e tij “Për Drenasin Kampion”.
Nisma rikonfirmoi Malishevën.
Mamusha është fituar nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), ndërsa Lista Serbe është partia me më së shumti komuna, gjithsej 10.
Në rundin e parë, LDK-ja fitoi dy komuna – Istogun dhe Lipjanin, ndërsa në balotazh fitoren e shpalli edhe në pesë sosh: Prishtinë, Pejë, Junik, Viti dhe Dragash. Në zgjedhjet e kaluara, kjo parti qeveriste me 9 komuna (8 të fituara nga zgjedhjet e 2021, dhe Obiliqin pasi Xhafer Gashi, kryetari i kësaj komune, kishte kaluar në LDK në vitin 2022 pasi komunën e kishte fituar me Listë Qytetare).
LVV-ja, në zgjedhjet e 12 tetorit fitoi pa balotazh në tri komuna: Podujevë, Shtime dhe Kamenicë, ndërsa në rundin e dytë u shpall fituese edhe në Mitrovicë, Gjilan, Fushë-Kosovë e Obiliq. LVV-ja, në katërvjeçarin e fundit qeveriste “vetëm” me Podujevën, Shtimen, Gjilanin dhe Kamenicën.
PDK-ja fitoi Ferizajn, Skenderajn dhe Hanin e Elezit në rundin e parë, kurse në balotazh mori edhe Vushtrrinë, Prizrenin e Kaçanikun. Para këtyre zgjedhjeve, kjo parti qeveriste me 8 komuna (këto të rikonfirmuarat si dhe Mitrovicën e Skenderajn).
AAK-ja nga ana tjetër, më 12 tetor fitoi vetëm Deçanin pa balotazh, ndërsa në rundin e dytë u rikonfirmua edhe në katër komuna tjera: Gjakovë, Klinë, Rahovec dhe Suharekë. Kjo parti ka mbajtur të njëjtat komuna.
Ndërkaq Nisma e fitoi Malishevën në rundin e parë, ndërsa në të dytin nuk ishte në garë në asnjë komunë tjetër. Edhe në zgjedhjet e kaluara, kjo parti udhëhiqte vetëm me këtë komunë. /Klankosova.tv
The post Kush i fitoi ‘betejat’ e forta? Partitë që triumfuan në balotazhin e 9 nëntorit appeared first on Klan Kosova.










