Dy të lënduar nga rrahja në Istog, njëri me lëndime të lehta, tjetri i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka pohuar se i kanë pranuar dy pacientë me lëndime nga arma e ftohtë.

Në një njoftim spitali ka pohuar se pacientët e pranuar në Spitalin e Pejës janë nga rrahja që ndodhi në një lokal në qytetin e Istogut.

“Njëri është trajtuar me lëndime të lehta, ndërsa tjetri është duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

“Ekipet mjekësore janë në kujdes të plotë për të dy rastet”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Fadil Gashi, ka pohuar se rreth orës 18:25 policia është njoftuar për një rrahje.

“Në orën 19:00 u konstatua se ka dy persona të lënduar, të cilët po trajtohen në emergjencën e Istogut. Ata janë dërguar për trajtim mjekësor në Pejë”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë ekipet kompetente të Policisë së Kosovës për të kuptuar shkaqet e rrahjes dhe për identifikimin e personave që duhet arrestuar.