“Po e zgjedhim ‘karate’”, i shkroi Naim Bardiqi një personi në platformën WhatsApp derisa ndodhej brenda seancës së jashtëzakonshme ku Lëvizja Vetëvendosje ia mësyu zgjedhjes së presidentit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, komunikimi i të cilit në WhatsApp u kap nga kamerat e mediave, zbuloi planin meskin të Albin Kurtit për zgjedhjen e presidentit, pa sigurimin e 80 votave të nevojshme, me vetëm pak mbi 60 deputetë në sallën e seancave.
Komenti i Bardiqit e ka zënë të papërgatitur edhe shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavcin, e cila, pasi u pyet të hënën pas seancës lidhur me mesazhet e deputetit tha se nuk e ka parë atë.
“Tani unë nuk di çfarë kanë shkruar aty apo çfarë raportimi, nuk mund të jap përgjigje për gjërat që nuk i kam parë”, tha ajo.
Por, Naim Bardiqi e ka kryer të vetën. Mesazhi i tij është tregimi për seancën e mbrëmjes së djeshme që ngjalli reagime të ashpra nga opozita, shoqëria civile dhe mediat.
Kush është Naim Bardiqi?
Numri 60 i listës së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Naim Bardiqi, është për herë të parë deputet në legjislaturën aktuale.
Ai, është një njeri me të kaluar “të përjetshme” në administratën publike. Ka ushtruar funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë deri disa muajsh, është një shërbyes civil që dikur njihej për afërsinë me PDK-në.
Në vitin 2018, kur Uran Ismaili i PDK-së udhëhiqte me Ministrinë e Shëndetësisë, Bardiqi ishte emëruar për herë të parë në krye të administratës së MSh-së. Ismaili e përshkruante Bardiqin si “krah të fortë” të tijin.
Me rënien nga pushtetit të PDK-së, Bardiqi s’kishte humbur kohë. Ishte afruar me pushtetin e Vetëvendosjes që e kishte ri-emëruar në pozitën e sekretarit më 2021.









