Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur në Britani për vizitën e tij të dytë shtetërore, një zhvillim i paprecedent në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, zbritën të martën mbrëma në aeroportin Stansted të Londrës me aeroplanin presidencial “Air Force One”. Ata u pritën nga përfaqësues të Mbretit Charles dhe zyrtarë të lartë britanikë, mes tyre edhe ministrja e Jashtme, Yvette Cooper, raporton “The Guardian”.
Pas mbërritjes, çifti presidencial u nis me helikopterin Marine One drejt rezidencës zyrtare të ambasadorit amerikan në Londër, Winfield House.
Vizita dyditore e Trumpit përfshin aktivitete shtetërore, takime me Mbretin Charles, parada ushtarake dhe një fluturim të planifikuar të skuadriljes britanike “Red Arrows” së bashku me aeroplanë luftarakë F-35 britanikë dhe amerikanë.
Por vizita ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik britanik. Koalicioni “Stop Trump” organizoi një protestë në Windsor të martën mbrëma, ku dhjetëra qytetarë mbanin pankarta dhe brohoritnin “Trump jashtë” dhe “Donald Trump nuk është i mirëseardhur këtu”. Një tjetër protestë pritet të mbahet të mërkurën në Londër.
Kritikat më të ashpra erdhën nga kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, i cili në një shkrim për “The Guardian” e akuzoi Trumpin se ka “bërë më shumë se kushdo tjetër për të nxitur politikat përçarëse dhe të ekstremit të djathtë në botë vitet e fundit”. Ai e quajti përdorimin e ushtrisë në qytetet amerikane dhe shënjestrimin e minoriteteve “të shkëputura drejtpërdrejt nga manuali i autokratëve”.
Khan tha se ndonëse Mbretëria e Bashkuar ka arsye pragmatike për të ruajtur marrëdhënie të forta me ShBA-në, kjo nuk duhet ta pengojë të kritikojë një lider që “ka nxitur ndarje dhe politika të rrezikshme”. Ai kujtoi gjithashtu se marrëdhënia e veçantë mes dy vendeve nënkupton “të qenët miq kritikë kur është e nevojshme dhe të thuash të vërtetën para pushtetit”.
Kjo nuk është hera e parë që Khan përplaset publikisht me Trumpin pasi dyshja pati përballje edhe gjatë vizitës së parë shtetërore të tij në vitin 2019.