Hamasi thotë se ka marrë “disa ide” nga SHBA-të nëpërmjet ndërmjetësve, se si të arrihet një marrëveshje armëpushimi në Gaza.
Grupi i armatosur palestinez tha se po diskutonte se si t’i zhvillonte idetë, duke vënë në dukje se ishte gati të lironte 48 pengjet e mbetura në Gaza, në këmbim të një deklarate “të qartë” që i jepte fund luftës.
Një zyrtar palestinez i tha BBC-së se plani i SHBA-së do të shihte lirimin e pengjeve në 48 orët e para të një armëpushimi 60-ditor, në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite dhe negociatave me mirëbesim për një armëpushim të përhershëm.
Kjo erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump i dha Hamasit atë që e quajti një “paralajmërim të fundit” për të rënë dakord për një marrëveshje. Ai tha se Izraeli i kishte pranuar kushtet e tij, pa dhënë detaje, transmeton Telegrafi.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, tha se ishte gati të binte dakord për një marrëveshje që i jepte fund luftës, e cila do të përfshinte lirimin e të gjithë pengjeve – vetëm 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë – dhe çarmatimin e Hamasit.
Ndërkohë, kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi afërsisht një milion palestinezë që jetojnë në qytetin e Gazës të goditur nga uria të evakuohen menjëherë, ndërsa ushtria izraelite intensifikoi një ofensivë për ta pushtuar atë.
“Në dy ditët e fundit kemi rrëzuar 50 ndërtesa të larta terroriste dhe ky është vetëm fillimi i operacionit tokësor në qytetin e Gazës”, tha ai në një video.
“U them banorëve të qytetit të Gazës: jeni paralajmëruar, largohuni që andej”, shtoi kryeministri izraelit.
Spitalet thanë se sulmet izraelite vranë të paktën 40 persona në të gjithë Gazën të hënën, përfshirë 25 në qytetin e Gazës dhe gjetkë në veri.
Ushtria izraelite tha se katër ushtarë u vranë në luftime në Gazën veriore.
Të dielën në mbrëmje, Hamasi lëshoi një deklaratë, duke thënë se kishte “marrë nëpërmjet ndërmjetësve disa ide nga pala amerikane që synonin arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi” dhe se e mirëpriste iniciativën.
“Lëvizja është në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësit për t’i zhvilluar këto ide në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përmbush nevojat e popullit tonë”, shtoi ajo.
Hamasi tha se ishte gati të negocionte menjëherë lirimin e të gjithë atyre që u morën peng gjatë sulmit të grupit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, në këmbim të “një deklarate të qartë për t’i dhënë fund luftës, një tërheqjeje të plotë nga Gaza dhe formimit të një komiteti të të pavarurve palestinezë për të menaxhuar Gazën”.
Më herët gjatë ditës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishte shkruar në Truth Social: “Të gjithë duan që pengjet të kthehen në shtëpi. Të gjithë duan që kjo luftë të mbarojë! Izraelitët i kanë pranuar Kushtet e mia. Është koha që edhe Hamasi t’i pranojë”.
“E kam paralajmëruar Hamasin për pasojat e mospranimit. Ky është paralajmërimi im i fundit, nuk do të ketë një tjetër”, shkroi ndër tjera.