Reagon Fitore Pacolli: Akuzon personin që e quajti ‘hajne’ se mund të ketë pasur armë në çantë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka reaguar pasi një video e tregon një qytetar me emrin Agim Pllashniku duke protestuar kundër saj, dhe duke i kërkuar që t’ia paguajë faturën, pasi familjarë të saj dyshohet se morën para nga buxheti i shtetit.

Pacolli, e cila u quajt disa herë “hajne” nga personi në fjalë, ka ngritur dyshime se ai mund të ketë pasur armë në çantën e tij.

“Kjo video nuk është e plotë. Ajo është prerë dhe manipuluar për të fshehur sulmin e tij ndaj meje si dhe momentin kur agresori e sulmon fizikisht asistentin tim, si dhe çastin kur tenton të fusë dorën në çantën që mbante në krah, një çantë për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë.

Agim Pllashniku u afrua me tonë e mënyrë kërcënuese pranë tavolinës ku isha ulur, duke shfaqur qartazi qëllime agresive dhe provokuese.

Dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij incidenti ishin përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë edhe vetë Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë, të cilët ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes” – ka shkruar ajo.

Pacolli ka vijuarm e sulme ndaj gazetarëve që raportuan mbi këto zhvillime.

“Disa portale, “gazetarë” dhe “analistë”, të financuar nga oligarkë dhe interesa të tyre të errëta, po e portretizojnë këtë sulm të rrezikshëm si një akt “heroik”, duke mbrojtur agresorin dhe duke tentuar ta paraqesin dhunuesin si viktimë.

Këto portale nuk kanë për qëllim informimin e publikut. Ato janë kthyer në instrumente të dhunës së organizuar dhe sistematike kundër meje, duke përhapur qëllimisht urrejtje, kërcënime, shpifje, thirrje për sulme verbale e fizike, si dhe dhunë politike e psikologjike, me qëllimin e vetëm për të më detyruar të tërhiqem nga angazhimi im politik” – ka thënë ajo.