IPK rekomandon suspendimin e një zyrtari policor

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, pas dyshimeve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetimet ndaj zyrtarit janë nisur me dyshimin se ai ka përdorur në mënyrë të paautorizuar sistemin dhe bazën e të dhënave të Policisë Kufitare për të verifikuar informacionin personal të një qytetari – shtetas i Republikës së Kosovës – i cili nuk ka qenë fare prezent në atë pikë kufitare në momentin e verifikimit.

Dyshohet se ky veprim është kryer për të vërtetuar nëse qytetari në fjalë gjendej apo jo në kërkim policor.

Gjithashtu bëhet e ditur se pas konsultimeve me Prokurorinë Themelore në Prizren, është vendosur që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë me veprime të tjera hetimore për të ndriçuar tërësisht rrethanat e rastit.

The post IPK rekomandon suspendimin e një zyrtari policor appeared first on Kosovapost.net.