Policia e Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës të përfshirë në dhënien e një leje të dyshimtë për një objekt banesor dhe një pronar të një kompanie ndërtimore që u pajis me këtë leje në mënyrë të dyshimtë.
Siç raporton Lajmi.net bëhet fjalë për drejtorin për Planifikim Urban, Abdullah Prebreza, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i degës së LDK-së në Fushë Kosovë.
Drejtori dhe arkitektja me veprimet e tyre dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” nga neni 422, ndërsa i dyshuari me iniciale (M.V.) dyshohet se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 368, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit kompetent dërgohen në ndalim për 48 orë për procedura të mëtejme.