Gucati: Gjykata Speciale me qëllim krijon vonesa – ardhja e Thaçit, burrnore

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se Gjykata Speciale me qëllim krijon vonesa që ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë të mos jenë prezentë në ditën kur bëhet ceremonia e varrimit të pjesëtarëve të familjes.

Gucati thotë se një vendim i tillë u morë edhe ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili u lejua që të vijë në Kosovë, pas pesë ditësh pas vdekjes së të atit.

“Ata vetë me qëllim i bëjnë këto vonesa. Për arsye se nuk duan të na lejofshin neve për me ardhë në varrimin e prindërve, kjo ka qenë besoj gjoja për shkaqe që në varrim ka shumë njerëz dhe nuk na lejonin për me u takua me njerëz dhe mos mu përshëndet me ta. Kjo është arsyeja, jo procedurat ligjore që e pengojnë për mosardhjen tonë”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Gucati, i cili ishte edhe vetë i akuzuar nga Gjykata Speciale tregon se sa e vështirë është t’i kumtohet lajmi për vdekjen e prindit në rrethana që vetë s’mund të jenë pjesëmarrës në ceremoninë e varrimit.

“Gjykata Speciale e bën këtë me qëllime të caktuara për mosardhjen tonë në Kosovë për varrime. Realisht, është shumë e vështirë kur të jepet një lajm i tillë e i keq në rastin kur dëgjon se ‘të ka vdekur prindi’, dhe në këtë rast nuk je në gjendje që të vish ta vizitosh e t’ia hedhësh një grusht dhe mbi varrë. Është shumë e rëndë. Gjykata Speciale ka bërë shkelje të të drejtave të burgosurve, sidomos ndaj neve, e tash edhe ndaj Thaçit. Është e drejtë humanitare që ne të vijmë në varrim dhe të marrim pjesë edhe ne”, tregoi ai.

Për ardhjen e Thaçit në Kosovë, Gucati thotë se Gjykata Speciale me masat që i ndërmori po thuajse ngjasojnë me një film që mund të ishte xhiruar në fshatin Burgojë të Skenderajt, masa këto që sipas tij ishin të gjitha të panevojshme.

“Kjo Gjykatë mendoj se ende me ato ëndrrat e veta që Thaçi apo dikush nga ne, të gjej si formë apo të jetë si një lloj kërcënimi ndaj dëshmitarëve, por tash dëshmitarët kanë përfunduar dhe lënda e tyre tashmë është në përfundim e sipër. Aq naivë që janë, ata mendojnë që ne jemi duke menduar në atë drejtim. Ardhja e Thaçit ka qenë burrnore, përmbajtja e tij, vetë shikimi i tij, përshëndetje me qytetarët, tamam një burrështetas dhe një burrë që tregon se ka pasur të drejtë që ka udhëhequr vendin, luftën dhe paqen. Të gjitha ato masa kanë qenë të panevojshme, sepse s’ka qenë i nevojshëm ai film në Burojë”, tha Guxati.