Në aeroportin Seattle-Tacoma ka ndodhur një përplasje midis dy aeroplanëve, gjë që ka shkaktuar vonesa dhe anulime të shumta fluturimesh.
Sipas fox5, incidenti ndodhi kur një aeroplan i Japan Airlines, gjatë lëvizjes në pistë, preku me bisht një aeroplan të Delta Airlines, i cili ishte i parkuar.
Në vendngjarje arritën shërbimet përkatëse, të cilat konfirmuan se nuk ka pasur të lënduar dhe kryen evakuimin e pasagjerëve që ndodheshin në avionin e kompanisë japoneze.
Si pasojë e këtij incidenti, mbi 100 fluturime u shtynë, ndërsa 21 u anuluan.
Përveç përplasjes së aeroplanëve, pasagjerët në aeroportin Seattle-Tacoma po përballen edhe me reshje të dendura dëbore, të cilat çuan në anulimin e 100 fluturimeve.
Kujtojmë se në muajin janar, aeroplani i American Airlines dhe një helikopter i Army Black Hawk u përplasën dhe u rrëzuan në lumin Potomac, duke lënë të vdekur të gjithë 67 personat që gjendeshin në dy fluturaket.