Lajmi i fundit: Ministrja Haxhiu po merret në pyetje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është paraqitur sot për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale në Prishtinë.

Haxhiu pritet të intervistohet në rolin e dëshmitares për deklaratat e saj se grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë gisht në arratisjen e disa të burgosurve në Kosovë, raporton Paparaci bazuar në burime brenda organit të akuzës.

Të shtunën, ministrja Haxhiu tha se organet shtetërore kanë informacione që “së paku në disa raste”, grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë ndihmuar dhe organizuar arratisjet e të burgosurve në Kosovë.

“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se mbështetja e Serbisë për të arratisurit në Kosovë “është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllim për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Kosovës”.

“Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cënimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”, u shpreh Haxhiu.

Në adresimin e saj të gjatë në rrjetet sociale, Haxhiu tutje ka thënë se për shkak të informacioneve “kundërthënëse” nuk mund të dihet me siguri nëse Faton Hajrizi është vrarë.

“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.