Fahri Fazliu, djali i Fadil Fazliut, ka publikuar një mesazh kushtuar babait të tij, duke vlerësuar qëndrueshmërinë dhe besnikërinë e tij ndaj idealeve kombëtare.
Në postimin e tij në “Facebook”, pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale, e cila e dënoi me 12 muaj burgim Fadil Fazliun, por ai është liruar pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ia mbulon dënimin e shqiptuar, Fahriu ka theksuar se as burgu nuk mund ta ndalë një njeri që beson në idealet e tij dhe qëndron i palëkundur në rrugën e atdheut.
Ai ka shkruar se historia i ruan me nder ata që mbeten besnikë ndaj idealeve të tyre, përballojnë sfidat me dinjitet dhe vazhdojnë përpara me kokën lart.
Në fund të mesazhit, Fahri Fazliu ka shprehur respektin dhe krenarinë për babanë e tij, duke përfunduar me thirrjen: “UÇK, dje, sot dhe përgjithmonë!”.
