26 milionë euro humbje nga Pavard dhe Asllani. Rikthehen nga huazimet, por nuk kanë vend tek Interi

Dyert e Interit do të hapen vetëm përkohësisht për Benjamin Pavard dhe Kristjan Asllani. Përvojat e tyre në huazim te Marseille dhe Beşiktaş kanë përfunduar pa aktivizimin e klauzolave të blerjes nga klubet respektive.

Kështu, drejtuesit zikaltër humbasin të ardhura të mundshme prej rreth 26 milionë eurosh në total, megjithëse klubi nuk e konsideronte më këtë shumë si të sigurt, pasi mundësia e blerjes së tyre ishte zbehur gradualisht gjatë muajve të fundit.

Megjithatë, ky zhvillim nuk ndryshon planet e Interit. Klubi nuk ka ndërmend t’i mbajë të dy futbollistët në skuadër për sezonin e ardhshëm dhe synimi mbetet gjetja e një destinacioni të ri. Në ditët në vijim pritet të ketë kontakte me agjentët e lojtarëve për të përcaktuar formulat dhe klubet e mundshme të transferimit.

Arsyet e ndarjes janë të ndryshme. Sa i përket Pavard, pavarësisht largimeve në repartin defensiv, peshojnë paga e lartë dhe disa sjellje që sezonin e kaluar krisën marrëdhëniet me klubin deri në pikën e ndarjes.

Për Kristjan Asllanin, vendimi është thjesht teknik. Paraqitjet e mesfushorit shqiptar në Torino dhe Stamboll nuk kanë bindur drejtuesit, duke mos i siguruar atij një vend në një mesfushë që konsiderohet tashmë e mbipopulluar.

 

The post 26 milionë euro humbje nga Pavard dhe Asllani. Rikthehen nga huazimet, por nuk kanë vend tek Interi appeared first on Telesport.