Pasi zjarret e fuqishme kanë shkaktuar këtë vit dëmet më të mëdha në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë njerëz po shtrojnë një pyetje të vetme: Pse?
Një nga faktorët kryesorë është ndryshimi klimatik, i shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile nga njerëzit. Temperaturat po rriten vazhdimisht.
Por, duke qenë se të dhënat tregojnë se nëntë nga dhjetë zjarre në Francë shkaktohen nga njerëzit, qeveria në Paris po përpiqet të përcaktojë përgjegjësit, ndërsa vetë akuzohet se nuk ishte e përgatitur sa duhet për përmasat e zjarreve që këtë verë kanë përfshirë më shumë se 300 mijë hektarë tokë.
Ministria e Brendshme ka njoftuar se janë arrestuar 420 persona, të dyshuar se i kanë shkaktuar zjarret me dashje ose aksidentalisht. Në mesin e tyre janë edhe 166 të mitur.
Në një rast, një 23-vjeçar është akuzuar se ka ndezur qëllimisht 10 zjarre brenda pesë ditësh në zonën Var, në juglindje të Francës, muajin e kaluar.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me deri në 15 vjet burgim dhe 150 mijë euro gjobë, shkruan BBC, \.
Edhe persona të tjerë janë gjykuar dhe dënuar menjëherë. Një burrë është dënuar me tre vjet burg pasi akuzohet se shkaktoi tre zjarre të fundit në pyllin Raon-L’Étape, në rajonin Vosges.
“Vetëm disa metra katrorë bimësi u përfshinë nga flakët”, shkroi gazeta L’Est Républicain, e cila raportoi rastin.
Megjithatë, disa prej ndjekjeve penale janë konsideruar si të ashpra dhe të padrejta. Sipas raportimeve, një person i pastrehë dhe një person me autizëm të rëndë janë dënuar me burg për hedhjen e bishtave të cigareve.








