Zbulohen lidhje ilegale të ujit në Veternik, KRU Prishtina jep detaje

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka identifikuar disa lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit në lagjen Veternik, si dhe në disa lokale në sheshin e Prishtinës.

Sipas njoftimit, lidhjet e paligjshme janë shkyçur nga rrjeti i ujësjellësit gjatë aksionit të ndërmarrë për identifikimin e tyre.

“Gjatë ditës së sotme janë zbuluar disa lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit në lagjen Veternik, si dhe në disa lokale në sheshin e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Kompania ka bërë të ditur se rastet e identifikuara do të procedohen më tej në institucionet kompetente.

“Lidhjet ilegale janë shkyçur nga rrjeti i ujësjellësit, ndërsa lëndët përkatëse do t’i përcillen Prokurorisë për procedim të mëtejshëm”, thuhet në njoftim.

KRU “Prishtina” ka publikuar edhe fotografi nga aksioni, ku paraqitet procesi i identifikimit dhe shkyçjes së lidhjeve ilegale.