Analisti Visar Ymeri e ka vlerësuar si problemin kryesor për stagnimin e krjimit të institucioneve, gjuhën e përdorur nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, specifikisht Dejona Mihali, kordinatore e komiteteve në Vetëvendosje.
Ymeri ka analizuar sulmet e drejtuara drejt Përparim Ramës e Sami Lushtakut ditëve të fundit, duke thënë se pushtetit ka arritur që të mos arrihet të kuptohet dallimi mes të vërtetës dhe spekulimeve.
Sipas Ymerit, gjuha e përdorur nga Dejona Mihali e eksponentë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje ka dy probleme të mëdha.
“Gjuha që po përdoret nga Dejona Mihali, e cila është gjuha e Vetëvendosjes, gjuhë e Albin Kurtit i ka dy probleme madhore. E para, është gjuhë absolutisht e papranueshme për politikën, dhe e dyta është – akuza të rënda pa kurrfarë baze. E kemi rastin kur Dejona iu drejtua kryetarit të Prishtinës me fjalët “ku i merr narkotikët”, kurrfarë baze nuk ka kjo. Së paku, Dejona Mihali nuk ka dhënë asnjë bazë që kjo është e vërtetë. Si mund ta akuzosh dikë pa kurrfarë dëshmie nga niveli i pushtetit”.
“Personi më i afërt i kryeministrit e akuzon kryetari e Prishtinës se është përdorues i narkotikëve. Kësi sulme pa bazë janë shumë të dëmshme për Kosovën sepse po përhumbet komplet dallimi në mes të vërtetës dhe spekulimit, këtu e vërteta dhe spekulimi janë bërë një. Dhe kjo gjuhe e qëllimi për çka bëhet, janë bërë pengesa kryesore për zhvillimin institucional dhe demokratik. Ky problem nis prej pushtetit dhe mënyrës se si pushtetit flet”, ka thënë Ymeri në VV Show.








