Piloti italian Kimi Antonelli është lider i kampionatit botëror për pilotë në Formula 1 deri në mesin e sezonit, por as ai dhe as Mercedes nuk mund të flenë të qetë. Ferrari dhe McLaren janë afruar, duke marrë tre fitore në 5 garat e fundit.
Drejtuesit e makinës gjermane i kanë lënë pilotët e saj të duelojnë për fitoren, por duhet të shmangin gabimin e Barcelonës, kur dueli midis Antonelli dhe George Russell ndihmoi Lewis Hamilton të triumfojë.
Ndërkohë që, problemi tjetër ka qenë besueshmëria. Ky mbetet prioritet për pjesën e dytë të sezonit, në mënyrë që Mercedes të maksimizojnë grumbullimin e përgjithshëm të pikëve me të dy pilotët.
Shefi i Mercedes, Toto Wolff, duke folur për mediat, sqaroi: “Mund t’i kishim fituar të 10 garat, por nuk ndodhi për shkak të problemeve të besueshmërisë dhe mënyrës se si i menaxhuam dy garat e pilotëve tanë”.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme për ne janë ato 100 pikë që i lamë në tavolinë. Ndihet si një mundësi e humbur. Nëse do të kishim sukses, do të gjendeshim në një pozicion më të fortë në kampionat. Ky duhet të jetë qëllimi pas pushimeve të verës“, tha Wolff.







