VV mban takim me mërgimtarë në Prishtinë, Kurti u thotë se ‘‘po krijohen kushtet’’ për kthimin e tyre në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar takim me mërgimtarët në sheshin “Adem Jashari”, në kryeqytet.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili vlerësoi mërgimtarët si zgjatje dhe mundësi për Kosovën.

“Për neve bashkatdhetarët janë zgjatje e Kosovës, por njëkohësisht edhe mundësi për të.
Unë e di që secili prej juve në perëndim, prej nga do që jeni, prej Amerikës e Kanadasë, te Australia, prej Britanisë, Skandinavisë e Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë, kudo që ndodheni, jeni një lloj ambasadori i vogël i Republikës së Kosovës dhe i kombit shqiptar. Por shumë këta ambasadorë të vogël, siç është bashkatdhetari shqiptar, bashkë e bëjnë ambasadën më të madhe. Jo veç tonën, por asnjë komb tjetër unë nuk di që ka në Evropë ambasadë qysh kanë shqiptarët, për shkak të diasporës, për shkak të bashkatdhetarëve të tyre. Prandaj edhe ne u jemi pafundësisht mirënjohës e falënderues për këtë angazhim që e bëni në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ai, raporton Eo.

Ndërsa, theksoi se në Kosovë janë duke u krijuar kushte me qëllim të kthimit të mërgimtarëve, duke shprehur interesim për përfshirjen e tyre në institucione publike e sektorin privat.

“Në Kosovë po krijohen kushtet për shkak të sundimit të ligjit, për shkak të qeverisjes së mirë, për shkak të luftimit të korrupsionit, për shkak të investimeve në bujqësi e në ushtri, po krijohen kushtet që bashkatdhetarët me u kthy. Unë e di që shumë prej juve e keni pasur familjen këtu, po një ose dy keni shkuar në perëndim. Tash ndoshta atje jeni më shumë se këtu, por ka shumë familje që tash një ose dy po i kthejnë prej perëndimit në Kosovë, sepse këtu e kanë tokën, këtu e kanë shtëpinë, ndoshta e kanë ble edhe ndonjë banesë tjetër, dhe në këtë mënyrë kanë ku kthehen. Por edhe ne jemi të interesuar që me qindra e qindra bashkatdhetarë të kyçen në institucionet publike të shtetit e me mijëra të kyçen në sektorin tonë privat”, tha Kurti.