Menu Close

VV-ja nuk e përkrah rrëzimin e “vetos” së presidentes për Ligjin e Speciales, Çitaku: Kemi dallime në procedurë, jo në përmbajtje

Ushtruesja e detyrës së PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti nuk kanë dallime në përmbajtjen e Ligjit për Specialen.

Në një deklaratë për media pas takimit me Kurtin, ajo ka thënë se diskutimet vazhdojnë ende.

“Nuk kemi asnjë dallim në përmbajtje, i kemi vetëm në procedurë. Diskutohet vazhdojnë, ju njoftoj më vonë”, ka thënë ajo.

Çitaku deklaroi shkurt se “beson” që Ligji do të dalë në votim gjatë seancës së sotme.

Javën e kaluar, deputetët kërkuan që Ligji për Dhomat e Specializuara të procedohet në Kuvend në formën aktuale dhe të rrëzohet vetoja e Presidentes, me 61 vota, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi.

Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu në Kuvend Ligjin për Specialenmë 22 tetor, pas kërkesës së vetë PDK-së, e cila kërkoi rishikimin e dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me të drejtat kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Më pas, më 6 tetor, Kuvendi e miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë.

Megjithatë, më 22 tetor, presidentja e ktheu atë në Kuvend për rishqyrtim, pas kërkesës së PDK-së, e cila ishte edhe sponsorizuese e tij. Partia kërkoi që të rishikoheshin disa dispozita që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Speciales, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të të gjykuarve.

Ligji u rikthye në rend dite të Kuvendit edhe në nëntor, por më 13 nëntor nuk pati votim për shkak të mungesës së kuorumit. Për miratimin e sërishëm të tij, pa ndryshime, nevojiten së paku 61 vota. Rishqyrtimi është përfshirë sërish në agjendën e seancës së 19 nëntorit.

Related Posts