Vuçiqi dhe Bërnabiqi po rikthejnë gjuhën e propagandës së Millosheviqit

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë, Aleksandar Vuçiq dhe Ana Bërnabiq, duke i cilësuar ato si vazhdim të gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Përmes një postimi, Haxhiu tha se, ndërsa qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, udhëheqësit serbë vazhdojnë të mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe të përsërisin pretendimet territoriale ndaj saj.

Ajo theksoi se Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve, përderisa nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin.

Sipas Haxhiut, përballja me të kaluarën dhe respektimi i sovranitetit të shteteve fqinje janë parakushte për paqe të qëndrueshme në rajon.

Presidentja në detyrë rikujtoi se Republika e Kosovës është shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008 dhe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2010, ka konfirmuar se shpallja e pavarësisë nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ajo shtoi se Kosova është njohur nga 121 shtete dhe vazhdon të forcojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

Haxhiu u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të dënojnë qartë, siç u shpreh ajo, “gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse” të zyrtarëve serbë, duke theksuar se pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI.

Në fund, ajo nënvizoi se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe i orientuar drejt integrimit euroatlantik, duke shtuar se as deklaratat e Vuçiqit, as të Bërnabiqit nuk mund ta ndryshojnë këtë realitet.