Vrasja e dyfishtë në Kolovicë, kunata e të ndjerës tregon se çfarë ndodhi dhe kë e pa duke shtënë me armë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë të Prishtinës më 26 mars 2024, në seancën e së enjtes u dëgjuan e dëmtuara-dëshmitarja Sh.G., dhe dëshmitarja S.B.

Sh.G., kunata e viktimës Z.G., dëshmoi se natën kritike rastisi të jetë në veturë bashkë me viktimën, ku pa e dëgjoi gjithçka që ndodhi nga të shtënat me armë, si pasojë e të cilave vdiq Z.G. Në anën tjetër, motra e të akuzuarve Naim e Ahmet Berisha, S.B., deklaroi se për rastin ku akuzohen vëllezërit e saj, kuptoi nga mediat.

Në këtë rast, akuzohen Naim e Ahmet Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, u dëgjua dëshmitarja Sh.G., e cila deklaroi se në ditën e ngjarjes kritike, kishte parë një person tullac duke shtënë me armë.

Paraprakisht, dëshmitarja deklaroi se më 26 mars 2024, kishte qenë në veturë duke u kthyer në shtëpi së bashku me bashkëshortin e saj Q.G., kunatin e saj R.G., gruan e kunatit- tani të ndjerën Z.G., si dhe nusen e djalit të tyre E.M., kur kishin hasur një veturë me ngjyrë të bardhë të ndalur para shtëpisë së tyre.

Dëshmitarja Sh.G., sqaroi se pasi që vetura iu kishte liruar rrugën, në ato momente kishte ardhur dhe një veturë tjetër e tipit “Jeep” me ngjyrë të zezë, ku më pas kishin filluar të shtënat dhe se në ato momente ishte goditur tani e ndjera Z.G.

“Nga vetura e bardhë që ishte parkuar në anën e majtë afër shtëpisë sonë, në tenaltëze, kanë qenë dy persona. Njëri ka qenë jashtë veturës, qysh e kam pa pak ka qenë tullac, tjetri ka qenë në veturë, nuk kam mujt me identifiku mirë”, tha dëshmitarja Sh.G.

Sipas saj, personi jashtë veturës ishte duke u fshehur pas një shtylle të betonit, në një distancë rreth 2 deri në 3 metra prej veturës së të dëmtuarve, si dhe të njëjtin e kishte parë duke shtënë me armë.

Po ashtu, Sh.G., deklaroi se kishte parë të shtëna edhe nga vetura e zezë.

Ndërsa, në sesionin e pasdites u dëgjua dëshmitarja S.B., motra e të akuzuarve Ahmet dhe Naim Berisha, e cila deklaroi se kishte kuptuar përmes mediave se vëllezërit e saj ishin përfshirë në këtë ngjarje.

Në vijim, dëshmitarja S.B., tha se asnjëri prej dy vëllezërve të saj nuk i kishin treguar se kush i ka gjuajtur.

Më tej, dëshmitarja deklaroi se nuk i kujtohej se çfarë veture kishin pasur të akuzuarit Ahmet dhe Naim Berisha, kur ata kishin dalë nga shtëpia në mbrëmje.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Berisha, avokati Hivzi Bajraktari i porpozoi Gjykatës që për shkak të gjendjes se rëndë shëndetësore të të mbrojturit të tij, t’i ndërpritet masa e paraburgimit atij dhe t’i caktohet një masë tjetër si arresti shtëpiak, dhe t’i caktohet masa e dorëzanisë si masë garantuese për prezencën e tij në gjykatë.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Halimaj, avokati Fanol Krasniqi propozoi që masa e paraburgimit për të mbrojturin e tij të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Këto propozime i kundërshtoi prokurori i rastit, Bashkim Zeqaj, me arsyetimin se në rastin konkret janë plotësuar kushtet që të akuzuarve t’iu vazhdohet masa e paraburgimit.

Pas propzimeve të avokatevë Bajraktari dhe Krasniqi, dhe pas marrjes së mendimit të prokurorit Zeqaj, kryetarja e turpit gjykues, Alltën Murseli i refuzoi këto propozime.

Kujtojmë se pas publikimit të raportit nga seanca e 24 prillit 2026 me titull “Edhe miliardat me m’i dhënë, djali jem nuk ngjallet”, ka deklaruar nëna e të ndjerit në rastin e vrasjes së dyfishtë në Kolovicë” i dyshuari Sami Berisha kishte dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese, në drejtim të redaksisë së “Betimi për Drejtësi” dhe gazetarit Betim Musliu. Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 prill 2026 ka ndaluar të dyshuarin për 48 orë. Më pas, Gjykata Themelore Prishtinë ia caktoi masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në këtë rast të dëmtuarit- gazetarit Betim Musliu dhe adresës së vendbanimit të tij.

Gjykimi po mbahet në mungesë ndaj të akuzuarve Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, pasi që të njëjtit ndodhen në arrati.

Më 20 shtator, “Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e ngritur ndaj Naim dhe Ahmet Berishës, Lum Halimajt dhe Kaltrim Gashit për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës, ku viktima mbetën E.H. dhe Z.G.

Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.