Një aktivist anti-islamik që shkaktoi zemërim në të gjithë vendet myslimane për djegien e Kuranit, është qëlluar për vdekje në Suedi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok.
Salwan Momika, 38 vjeç, u qëllua në mënyrë të pamëshirshme në një apartament në qytetin e Sodertalje të mërkurën mbrëma.
Mediat suedeze raportuan se Momika po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok në kohën kur u qëllua, transmeton Telegrafi.
Një video e siguruar nga Daily Mail tregoi policinë duke marrë një telefon, dhe duke i dhënë fund një transmetimi të drejtpërdrejtë që dukej se ishte nga llogaria TikTok e Momika.
Refugjati irakian ishte i njohur për organizimin e demonstratave publike, ku ai dogji dhe shkatërroi librin e shenjtë – një veprim që nervozoi myslimanët në mbarë botën.
Një gjykatë e Stokholmit do të vendoste të enjten nëse Momika, një irakian i krishterë që dogji Kuranet në një protestë të madhe në vitin 2023, dhe bashkëprotestuesi i tij Salëan Najem, ishin fajtorë për nxitje të urrejtjes etnike.
Sipas fletës së akuzës, dyshja kishin përdhosur dhe djegur Kuranin dhe gjithashtu kishin bërë komente nënçmuese për myslimanët.
Ajo e shtyu vendimin për më 3 shkurt, duke thënë se “për shkak se Salëan Momika ka vdekur, nevojitet më shumë kohë”.
Najem shkroi në X këtë mëngjes: ‘Unë e kam radhën’.
Policia tha se ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje, ku ka gjetur Momikën të plagosur me armë zjarri. Ai u dërgua me urgjencë në spital dhe më vonë u konfirmua i vdekur.
Pesë persona janë arrestuar në lidhje me vdekjen e Momikës, tha policia në faqen e saj të internetit. Ata nuk thanë nëse vrasësi ishte në mesin e të arrestuarve.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson, foli sot për vrasjen e Momikës në një konferencë për shtyp në Stokholm.
“Unë mund t’ju siguroj se shërbimet e sigurisë janë thellësisht të përfshira sepse padyshim ekziston rreziku që të ketë një lidhje me një fuqi të huaj”, tha ai.