Menu Close

Vlora Çitaku i del në mbrojtje Lirim Mehmetajt: Gani Geci, nuk marrim leje prej teje për ta mbrojtur UÇK-në në Hagë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas debatit të fundit rreth gazetarit Lirim Mehmetaj dhe deklaratave të Gani Gecit, duke kundërshtuar kërkesat që, sipas saj, kufizojnë lirinë e shprehjes.

Çitaku ka thënë se, ndonëse Mehmetaj e ka kundërshtuar disa herë publikisht dhe nuk pajtohet me të as në debatin e fundit, mospajtimet janë pjesë normale e një shoqërie demokratike.

Ajo ka kritikuar ashpër kërkesat që Mehmetaj të japë “besë” apo “mirëbesim” sipas kanunit, duke i cilësuar ato si antidemokratike, antikushtetuese dhe çnjerëzore.

“Gani Geci, po ta them qartë: nuk marrim leje prej teje, kurrë, për ta mbrojtur UÇK-në dhe luftëtarët tanë në Hagë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e historisë së popullit shqiptar dhe se luftëtarët e saj nuk janë pronë e askujt.

Sipas Çitakut, mbrojtja e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë nuk mund të kushtëzohet nga askush.

“Mund të kemi mospajtime politike, mund të debatojmë e të kundërshtojmë njëri-tjetrin. Por askush nuk ka të drejtë të vendosë se kush guxon të flasë, kush guxon të mbrojë UÇK-në dhe kush duhet të heshtë”, ka deklaruar ajo.

Related Posts