Analisti për ekonomi, Mustafë Kadriaj, ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm në emisionin debatues në Teve 1.
Kadriaj, i cili u përfshi në një përplasje verbale që çoi në ndërprerjen e transmetimit të Tëvë1 të enjten në Prime Time, i kërkoi sot falje publikut për tensionet në studio.
Pas ngjarjes, Kadriaj përmes një reagimi publik ka kërkuar falje për sjelljen e tij, duke thënë se reagimi ishte bërë në afekt.
“Është njerëzore të kërkosh falje publikut për një sjellje timen dhe jam i gatshëm, nëse kërkohet, t’u kërkoj falje shqiptarëve anë e mbanë, kudo që janë. Pa dyshim që reagimi im ishte në afekt dhe më vjen keq”, ka shkruar Kadriaj.
Spahiaj sqaroi se tensionet u ngritën pas deklaratave të Nexhmedin Spahiut ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, për të cilin Kadriaj tha se po përballet padrejtësisht në Hagë.
“Pa dyshim që reagimi im ishte në afekt dhe më vjen keq. Po të ishte për mua, nuk do të kishte fare problem. Por të ofendohet një figurë siç është Hashim Thaçi, i cili, me të gjitha të metat që mund t’i ketë si njeri, e ka dëshmuar anën e tij atdhetare dhe për këtë po përballet padrejtësisht në Hagë, ishte e papranueshme për mua”, tha Kadriaj.
Sipas Kadriajt, Spahiu nuk ka asnjë kredit kombëtar të ofendojë me fjalën “Cub” një figure si Thaçi.
“Pra, derisa Hashim Thaçi të ofendohet, ndërsa është i lidhur e i prangosur dhe nuk ka mundësi të përgjigjet, e dikush si Nexhmedin Spahiu, pa asnjë kredit kombëtar, e ofendon duke e quajtur “cub” dhe duke aluduar se ka vjedhur e ka shitur, për mua kjo ishte e papranueshme. Aq më tepër kur moderatori e relativizonte qëndrimin e Nexhmedin Spahiut. Unë u detyrova ta lëshoj studion, por Spahiu vazhdoi me ofendime, gjë që për mua ishte e papranueshme në atë moment”, tha ai.








