Intervistë e gjatë për “Corriere dello Sport” me Cristian Chivu. Trajneri i Interit rikujtoi sezonin e tij të parë në krye të zikaltërve, por foli edhe mbi fillimet te Parma dhe zhvillimet e mundshme të merkatos. Këto janë deklaratat e tij kryesore:
Ke fituar diçka këtë vit…
Jo, për mua pak, mund të bëhej më mirë. Po bëj shaka (qesh).
Ishe te Parma dhe luaje për të mos rënë nga kategoria…
Unë trajnoj për të fituar, nuk shkoi keq. Përkundrazi.
Para telefonatës së Interit, çfarë i kishe kërkuar Parmës?
Kisha planifikuar gjithçka, dihej kush do të largohej dhe profilet mbi të cilat do të fokusoheshim. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Nuk më hipi vetja në qejf, unë isha mësuar të ndryshoja skuadrën te sektori i të rinjve, të vlerësoja lojtarët.
Tani duhet të fitosh…
E di, muzika ka ndryshuar.
Rinovimi me Interin…
Pse duhet të flisni për kontratat? Unë jam i lumtur, të stërvitësh Interin është kënaqësi. Flokët e bardhë kanë ardhur, prej një viti e katër muajsh fle pak. Gruaja ime nuk më njeh më, fëmijët e mi i shoh vetëm në darkë.
Në vjeshtë pati një moment të vështirë…
Për mua jo, pritshmëritë janë të ndryshme, por rritjen e kam parë gjithmonë në përditshmëri. Nëse humbet një ndeshje, dalin disa fantazma dhe duhet të jesh i zoti për të menaxhuar situata të caktuara. Deri në nëntor kishim humbur shumë për të qenë Interi, është e vërtetë, por diçka po shihej.
E dini që Ausilio nuk flinte në atë periudhë…
Nuk e di, ai paraqitej çdo mëngjes i qetë në ‘Appiano’. Mbështetja nuk mungoi kurrë, as për mua dhe as për skuadrën. Ishte një gjë vendimtare. Flitej për faktin se nuk fitonim kurrë ndeshjet direkte, por ne ishim të zotë të mos humbnim pikë me ekipet e tjera.
Nuk ishte e lehtë pas sezonit të mëparshëm…
Doja një evolucion të lojës dhe në disa momente e bëmë mirë. Pastaj nuk është e lehtë të kesh vazhdimësi. Nuk doja revolucione, por të shtoja diçka. Nuk ishte e thjeshtë ta bindja grupin, doja më shumë pragmatizëm. Në fillim gabonim shumë para portës, nuk arrinim ta fusnim topin në rrjetë. Unë e urrej të spekuloj, kërkesat në pushimin mes pjesëve ishin për të qenë dominues. Mjafton një gjysmë gabimi dhe pëson gol, pastaj ndoshta nuk e rikuperon dot. Në Verona ia dolëm me një autogol në minutën e 93-të.
Momentet pas zgjedhjes së Interit për të të besuar pankinën…
Çfarë ndjeva? Ishte një përzierje e bukur emocionesh. Duhet të jem i sinqertë, nuk bëj sikur. Në fillim pyesja veten nëse isha në gjendje ta bëja, nëse mund ta shpërbleja besimin që më ishte dhënë në këtë klub. Ose nëse isha në gjendje të menaxhoja një tipologji të caktuar lojtarësh…
Ke ndryshuar edhe në aspektin e komunikimit…
Doja, por më është dashur të përshtatem me realitetin. Kam dinjitet, futbolli që tregohet është ndryshe nga ai që luhet. Kur isha lojtar nuk më pëlqenin disa deklarata të disa trajnerëve. Unë kam dashur ta bëj në mënyrën time, por më kanë quajtur ‘prift i rremë’…
A e ndryshoi Bastoni trajnerin Chivu?
Gjëja më e vështirë është se e kisha bërë atë deklaratë një ditë më parë. Jam penduar që e thashë. Kisha dy zgjedhje pas Inter-Juve: të mbroja fjalët e mia, ose lojtarin tim. Zgjodha të dytën sepse ishte krijuar një situatë që shkonte përtej futbollit.
Sa ka vuajtur Bastoni nga kjo?
Shumë, por ishte i zoti të mos ua tregonte shokëve të skuadrës, të cilët i kanë qëndruar gjithmonë pranë.
Dëmtimet e Lautaros…
Na mungoi shumë, por djemtë e rinj (Pio dhe Bonny) bënë shumë mirë.
Sa lojtarë duhen për të fituar Champions League?
Ti flet për zëvendësime, unë flas për para. Askush nuk të jep garanci se paratë të sjellin fitoren, por ndihmojnë për ta mbajtur të lartë nivelin e konkurrueshmërisë.
Nesër në mëngjes, Marotta vjen dhe të thotë se ka 200 milionë euro për të shpenzuar. Cilin lojtar do të doje?
Ne kemi lojtarë të mirë, pastaj është e qartë se ka nevojë të shtohen të tjerë të fortë.
Kur e kuptove se e kishe fituar titullin?
Pas Como-s, fitores 4-3 në kampionat. E dija se ajo u hiqte shumë rivalëve që prisnin të humbnim pikë.
Dallimi mes menaxherit dhe trajnerit…
Një trajner është edhe menaxher, pavarësisht nivelit.
Si ndryshon përgatitja gjatë muajve?
Duhet të jesh koherent me grupin, nga shtatori deri në janar nuk mund të stërvitësh pothuajse asgjë.
A ka ndonjë lojtar që të ka sugjeruar diçka në aspektin taktik?
Jo, ka ndodhur e kundërta. Doja të ndryshoja gjëra që nuk më pëlqenin.
Trajneri që të ka transmetuar më shumë?
Janë shumë. Një trajner funksionon në një grup, por ndoshta nuk funksionon në një tjetër.
Sa ndikon një trajner?
Shumë, duke folur për planin e ndeshjes dhe leximin e saj.
Sa flet para, gjatë dhe pas ndeshjes?
Mbledhja teknike ndonjëherë zgjat 5 minuta, herë të tjera 10 ose 15.
Derbet e humbura…
Nuk jam mërzitur fare. Për mua është një ndeshje futbolli e humbur, gjëja më e rëndësishme është si reagoj ndaj humbjes.
Sa gjoba ke dhënë?
Ka rregulla, pastaj ka standarde. Tek Interi lojtarët e dinë se nuk janë rregullat ato që e bëjnë të fortë një grup, por vlerat e klubit.
Ti doje Koné dhe Lookman, të cilët erdhën…
Po, por te skuadrat e tjera (qesh).
Por këtë verë gjërat kanë ndryshuar? A kërkon diçka më shumë nga pronarët?
Unë i kërkoj Pio-s dhe Bonny-t të shënojnë më shumë se dhjetë gola.
Marotta dhe Ausilio nuk të dëgjojnë…
Jo, dëgjojnë. Në këtë moment nuk mund të flas për ‘nëse’, unë flas për atë që kam.
Sa i lumtur je tani?
Jam i lumtur që kanë ardhur pushimet, mund të pushoj dhe të kaloj kohë me gruan time.
Dëmtimi në kokë…
Besoj se jam përmirësuar. Jam më i kujdesshëm me fëmijët.
Sezonin e ardhshëm do të kesh edhe më shumë flokë të bardhë? U konsumove menjëherë duke fituar dy trofe?
Është pjesë e lojës. Do të përpiqem të bëj gjithçka për të fituar, gjë që nuk është gjithmonë e mundur. Ajo që ka rëndësi është të kesh ambicien për ta provuar.
The post Viti i parë i Chivu tek Interi: Tani flej pak dhe gruaja ime nuk më njeh më, por jam i lumtur appeared first on Telesport.








