Lista Serbe: Ndalimi i drejtorëve të shkollave në Kamenicë është presion politik

Lista Serbe ka deklaruar se dënon ashpër ndalimin e drejtorëve të shkollave fillore në Kamenicë, Negovan Vasiq dhe Dragan Kërstiq, duke vlerësuar se bëhet fjalë për “një aksion të motivuar politikisht dhe presion ndaj personave që kanë denoncuar parregullsi të pretenduara zgjedhore”, transmeton Paparaci.

Në deklaratën e tyre thuhet se bëhet fjalë për një “presion klasik politik” dhe theksohet se aksioni po zhvillohet pasi, sipas pretendimeve të Listës Serbe, në bazë të një ankese të paraqitur nga Vasiqi si menaxher i qendrës së votimit, Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i është dorëzuar një ankesë për parregullsi të pretenduara në vendvotimin në Bolevc.

“Ne këtë e shohim si frikësim të dëshmitarëve dhe personave që kanë treguar për parregullsitë zgjedhore”, thuhet në deklaratë.

Nga Lista Serbe kanë pretenduar se institucionet kompetente duhet të hetojnë pretendimet për manipulime të mundshme zgjedhore, në vend që, siç thonë ata, të ndalojnë personat që i kanë denoncuar ato.

Lista Serbe kërkoi lirimin e menjëhershëm të Vasiqit dhe Kërstiqit, si dhe ndërprerjen e, sipas tyre, “përndjekjeve të motivuara politikisht dhe ndalimin e keqpërdorimit të institucioneve”.

“Lista Serbe do të vazhdojë të luftojë me mjete demokratike dhe juridike për të drejtat e popullit serb, për të vërtetën rreth procesit zgjedhor dhe për mbrojtjen e çdo qytetari nga përndjekja politike dhe represioni institucional”, përfundon deklarata e tyre./Paparaci.com