Stuhi e re gjyqësore për ish-portierin legjendar të kombëtares së Kolumbisë, René Higuita. Një gjykatë vendase ka urdhëruar sekuestrimin e vilës së tij luksoze në Medellín, duke dyshuar se prona ishte blerë fillimisht me të ardhura të paligjshme të kartelit të Pablo Escobarit, përpara se t’i shitej ish-futbollistit në vitin 1992.
I njohur nga të gjithë me nofkën “El Loco”, 59-vjeçari, ish-idhull i Atlético Nacional, kishte përfunduar nën hetim nga Prokuroria që në vitin 2014. Hetimet u hapën për të sqaruar origjinën e pronës, e cila ndodhet në lagjen ekskluzive “El Poblado”, dikur një nga qendrat kryesore të aktivitetit të kartelit të Pablo Escobarit, i vrarë nga forcat e rendit në vitin 1993.
Higuita reagoi menjëherë përmes një deklarate zyrtare, duke bërë të ditur se do ta apelojë vendimin e shkallës së parë të gjykatës në Medellín. Që nga nisja e hetimeve, ish-portieri ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë, duke këmbëngulur se e bleu shtëpinë në vitet ’90 në mënyrë plotësisht të ligjshme dhe me të ardhurat e fituara nga karriera e tij si futbollist, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje financiare apo personale me bosët e trafikut të drogës.

The post Vila e blerë me paratë e pista të Escobarit? Sekuestrohet rezidenca e René Higuita appeared first on Telesport.







