Vetëm tri kombëtare e kishin arritur më parë, tani edhe Spanja e Luis de la Fuente

Kombëtarja spanjolle nuk ka arritur vetëm në finalen e Kupës së Botës 2026. Ajo e ka bërë këtë duke regjistruar një nga rrugëtimet më solide në aspektin defensiv që janë parë ndonjëherë në një Botëror.

Skuadra e Luis de la Fuente ka pësuar vetëm një gol në të gjithë turneun dhe është bërë vetëm kombëtarja e katërt në histori që arrin finalen e një Botërori me një statistikë të tillë. Deri më tani, vetëm tri ekipe e kishin arritur këtë rekord.

E para ishte Holanda legjendare e vitit 1974. “Portokallinjtë” e Johan Cruyff pësuan vetëm një gol para finales, një penallti të realizuar nga Bullgaria në fazën e grupeve. Megjithatë, ajo skuadër humbi ndeshjen për titull ndaj Gjermanisë Perëndimore (2-1), pavarësisht se edhe ajo kishte kaluar në avantazh nga pika e bardhë.

28 vite më vonë ishte radha e Brazilit. Kombëtarja e Luiz Felipe Scolarit arriti në finalen e Botërorit “Kore-Japoni” 2002 pasi kishte pësuar vetëm një gol, të shënuar nga turku Hasan Şaş në fazën e grupeve. Mbrojtja e fortë shoqëroi një skuadër të udhëhequr nga Ronaldo, Rivaldo dhe Ronaldinho, e cila në fund u shpall kampione, pasi mposhti Gjermaninë në finale me rezultatin 2-0.

Shembulli më i suksesshëm mbetet ai i Italisë në vitin 2006. “Axurrët” arritën në finale pasi kishin pësuar vetëm një gol, me veçantinë se ai ishte autogol i Cristian Zaccardo ndaj SHBA. Asnjë kundërshtar nuk arriti ta mposhtte Gianluigi Buffonin para ndeshjes për titull. Në finale, Franca barazoi sfidën (1-1) me një penallti të realizuar nga Zinedine Zidane, i cili më pas u përjashtua me karton të kuq pas goditjes me kokë ndaj Materazzit, por Italia triumfoi në gjuajtjet e penalltive.

Tani Spanja synon të bëhet kombëtarja e tretë në histori që fiton Kupën e Botës pasi ka mbërritur në finale me vetëm një gol të pësuar. Përtej shkëlqimit ofensiv të Lamine Yamal, Oyarzabal apo Dani Olmos, një pjesë e madhe e suksesit të skuadrës së Luis de la Fuente shpjegohet me sigurinë e jashtëzakonshme në mbrojtje, të udhëhequr nga një dyshe qendrore historike me Laporte dhe Pau Cubarsí, si dhe nga mbrojtësit e krahut Porro dhe Cucurella, të cilët po zhvillojnë një Botëror në nivel shumë të lartë.

Në 6 ndeshje, porta e Spanjës është thyer vetëm një herë, ndaj Belgjikës në çerekfinale. Një statistikë që tashmë e vendos “La Roja” mes ekipeve më solide në historinë e Kupës së Botës, ndërsa tani kërkon ta kompletojë këtë rrugëtim perfekt me trofeun në finalen e madhe.

 

The post Vetëm tri kombëtare e kishin arritur më parë, tani edhe Spanja e Luis de la Fuente appeared first on Telesport.