Vdes aktorja Brenda Fricker, fituese e çmimit Oscar e njohur për “My Left Foot” dhe “Home Alone 2”

Aktorja irlandeze Brenda Fricker, fituese e çmimit Oscar, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, konfirmoi të premten agjenti i saj.

Fricker ishte gruaja e parë irlandeze që fitoi një çmim Oscar, të cilin e mori në vitin 1990 për Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor për interpretimin e saj në filmin “My Left Foot”. Në këtë biografi filmike, me regji të Jim Sheridan, ajo luajti rolin e zonjës Brown, nënës së personazhit kryesor Christy Brown, një artist me paralizë cerebrale. Edhe Daniel Day-Lewis, që interpretoi Christy Brown, fitoi Oscar për rolin e tij, raporton Yahoo, përcjell Gazeta Express.

Vdekja e aktores, të enjten, u bë e ditur nga agjenti i saj, Phil Belfield, i cili në një deklaratë tha: “Me pikëllim të madh ndaj lajmin se aktorja e dashur Brenda Fricker u nda nga jeta në mënyrë paqësore mbrëmjen e kaluar në Dublin, pas një periudhe të gjatë me probleme shëndetësore, në moshën 81-vjeçare.”

Duke e cilësuar atë si një “legjendë”, Belfield shtoi se bota e kinemasë dhe televizionit ka humbur një artiste të pazëvendësueshme.

Gjatë karrierës së saj, Fricker interpretoi në më shumë se 30 filma dhe seriale televizive. Një nga rolet e saj më të njohura ishte ai i “gruas së pëllumbave” në filmin “Home Alone 2”, ku miqësohet me personazhin e luajtur nga Macaulay Culkin.

E lindur dhe rritur në Dublin, ajo publikoi vitin e kaluar kujtimet e saj me titull “She Died Young: A Life in Fragments”, ku rrëfeu jo vetëm fëmijërinë në Irlandë, por edhe përvojat e dhimbshme të dhunës seksuale dhe betejën me problemet e shëndetit mendor.

Në një intervistë për The Guardian vitin e kaluar, e dhënë nga shtrati i shtëpisë së saj në Dublin, Fricker kishte folur hapur për gjendjen e rënduar shëndetësore, duke thënë: “Po përjetoj një fund të tmerrshëm… çdo ditë po vdes me dhimbje.”

Ajo tregoi gjithashtu se shkrimi i librit kishte qenë shumë i vështirë, pasi e detyroi të rikthente kujtime të traumave të fëmijërisë, përfshirë abuzimin seksual nga një mësues dhe mbijetesën pas dy përdhunimeve.

Ndër filmat e tjerë të njohur ku luajti janë “Cloudburst” (2011), përkrah Olympia Dukakis, dhe “Veronica Guerin” (2003), me Cate Blanchett. Roli i saj i fundit ishte në filmin “The Swallow” (2024).

Në një intervistë për gazetën britanike The Times në vitin 2024, Fricker e minimizoi rëndësinë e Oscarit në karrierën e saj, duke thënë se përvojën më të madhe profesionale e kishte fituar gjatë punës në BBC dhe në serialin mjekësor “Casualty”, përpara se roli në “My Left Foot” ta bënte të njohur në mbarë botën.