Vazhdon skandalet ambasadori Gjergj Dedaj, MPJ merr masa

Plotësisht të papranueshme po cilësohen të paktën dy deklarata të ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, të dhëna nëpërmjet postimeve në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Për këtë, Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se ka ndërmarrë hapa konkretë ndaj Dedajt. Por nuk ka treguar se për çfarë mase bëhet fjalë. Në një përgjigje zyrtare për portalin Koha.net, MPJ-ja ka shkruar se nuk lejon dëmtimin e marrëdhënieve me shtetet mike.

E nga ana tjetër njohësit e çështjeve diplomatike dhe analistë e vlerësojnë si jodiplomatike gjuhën e përdorur nga Dedaj.

Më 4 shkurt, Dedaj në Facebook kishte shkruar “Lutemi të shpëtojë Kosova nga ‘trimat’ e pasluftës! Ata të cilët sot thirren në luftë, kur ndodhi lufta, atë e shikuan nga larg, vetëm në ekranet televizive! Këta ‘trima’ aventurierë e mburravec, të frustruar dhe skizoidë, po na shesin ‘dushk për gogla’! Është koha për ndërtimin e paqes, fqinjësisë, stabilitetit, shtetit demokratik dhe perspektivës euro-atlantike”.

20 ditë më pas, ai vazhdoi me deklarime të tjera, që vlerësohen si të papranueshme, për një ambasador shteti.