Paaftësinë për qeverisur dhe mungesën e numrave, Lëvizja Vetëvendosje me narrativë të rreme, nisi t’ia hidhte fajin partive opozitare se si nuk po ia bënin kurorumin dhe se për këtë ishin edhe kundër qytetarëve të Kosovës.
Në një kthim në kohë, jo fort të largët kur Vetëvendosje ishte në opozitë, tallej me pushtetin se si nuk kishte fuqi në Kuvend.
“Kurrkund në botë nuk kam dëgjuar për kësi qeverie, e cila thotë: nëse opozita nuk na e voton vendimet, atëherë jeni kundër qytetarëve të vendit”, thoshte Glauk Konjufca si opozitar në Kuvend.
Ndërsa, në episodin e fundit të përpjekjeve të Vetëvendosjes për ta zgjedhur në mënyrë jo-kushtetuese presidentin sepse nuk kishte marrëveshje me ndonjë parti tjetër për të bërë kuorumin prej 80 deputetëve, nisi përpjekja për t’ia hedhur fajin opozitës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu thirri një nga një emrat e deputetëve që mungonin.
“Siç po e shihni jemi në minutat e fundit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, apo thënë më saktë në minutat e fundit të kësaj legjislature. Përkundër thirrjes së vazhdueshme edhe në seancën e filluar dje, edhe sot, thirrjes që deputetët e Kuvendit të jenë të pranishëm në seancën e jashtëzakonshme, siç po e shihni opozita, deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Listës Serbe, Duda Balje, Adem Hoxha, nuk janë të pranishëm në përpjekjet e fundit për ta zgjedhur presidentin. Po presim, t’i lënë anash barrikadimet”, thoshte Haxhiu në minutat e fundit të legjislaturës së zgjedhur para më shumë se dy muajve.
Mirëpo ishte vetë Haxhiu që si opozitare që kritikonte pushtetin për mungesën e numrave. Madje, vetë thoshte se faji nuk mund t’i hedhet opozitës.
“Duhet ta kuptoni që jeni pakicë dhe kështu nuk vazhdohet tutje dhe nuk mund ta hidhni fajin tek opozita, vaj halli për atë koalicion që mbështetet në numrat e opozitës. Në momentin që vjen në këtë derexhe, dihet që nuk është puna mirë”, kishte thënë Haxhiu në një seancë të Kuvendit sa ishte në opozitë.
Ndërkaq, Glauk Konjufca, poashtu gjatë mbledhjeve të fundit të Kuvendit, kishte akuzuar opozitën për pamundësinë që të formohet qeveria e re që ishte dështim i pushtetit të VV-së.
“Kriza e dytë ndodhi nga bashkimi i tri grupeve më të mëdha opozitare për bllokimin që të themelohet qeveria Kurti 3 dhe këtë bllokadë e pamë gjatë gjithë vitit 2025 deri në dhjetor kur u mbajtën zgjedhjet e fundit”, kishte thënë Konjufca.
“Dhe kriza e tretë është kriza që po e kalojmë, kjo është bashkimi i subjekteve opozitare për të shfrytëzuar çështjen e presidentit që përmes pamundësimit të kuroumit të çojnë në zgjedhje”, kishte shtuar ai.









