UEFA ka reaguar ashpër pasi FIFA tërhoqi projektin për “shitjen” te privatët të kompeticioneve të saj, përfshirë Kupën e Botës. Organizata europiane e drejtuar nga Alexander Čeferin e mirëpriti vendimin e tërheqjes, duke theksuar se plani ishte kundërshtuar unanimisht nga federatat europiane dhe shumë federata të tjera në botë.
Në komunikatën e saj, UEFA falënderoi tifozët, klubet, lojtarët, federatat dhe drejtuesit politikë që kundërshtuan nismën, duke deklaruar: “Futbolli nuk është në shitje.”
Por sulmi ndaj FIFA-s nuk u ndal këtu. UEFA akuzoi drejtimin e organizatës botërore për mungesë transparence dhe kërkoi që personat përgjegjës të japin llogari: “Nuk mund të vazhdojmë me plane sekrete, të përgatitura me nxitim nga persona anonimë dhe me përfitime të dyshimta për sportin. Duhet të identifikojmë përgjegjësit dhe t’u kërkojmë llogari”.
UEFA pretendon se drejtimi aktual i FIFA-s ka humbur besimin e shumë anëtarëve të familjes së futbollit.
Në fund, UEFA kërkoi që miliardat e rezervave të FIFA-s të përdoren për zhvillimin e futbollit në 211 vendet anëtare përmes programit “FIFA Forward”, duke theksuar: “Nuk është e nevojshme të shesim xhevahiret e familjes për ta financuar këtë”. Sipas UEFA-s, tërheqja e projektit është “një fitore për të gjithë futbollin”, por rikthimi i besimit te FIFA sapo ka filluar.
The post UEFA shpërthen ndaj FIFA-s dhe Infantinos: “T’i identifikojmë përgjegjësit dhe t’u kërkojmë llogari appeared first on Telesport.








