Ervin Salianji ka reaguar pasi u refuzua nga gara për kryetar në Partinë Demokratike.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social ai shkruan se PD-ja është pasuri e shqiptarëve e si e tillë ajo nuk mund të jetë pronë private.
“Sot u konsumua një akt i padëgjuar ndonjëherë në historinë politike: refuzimi i pranimit të dokumenteve të kandidimit për kryetar të Partisë Demokratike. Ky nuk është thjesht një vendim procedural. Është prova më e qartë se Partia Demokratike po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar me sakrificë nga mijëra demokratë. Kur ndalohet gara, nuk mbrohet partia por mbrohen interesat e ngushta të një grupi që vetëm ka frikë: ka frikë nga vota, ka frikë nga drejtësia, ka frikë nga e kaluara. Unë nuk kam kërkuar privilegje. Kam kërkuar garë. Partia Demokratike është më e madhe se çdo individ që tenton ta mbajë peng”, shkruan ai.









