Trump thotë se ka të ngjarë të vendosë deri të dielën nëse do të rifillojë luftën me Iranin

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se do të takohet më vonë gjatë ditës me këshilltarët e tij kryesorë për të shqyrtuar propozimin më të fundit të Iranit dhe mund të vendosë deri të dielën nëse do të rifillojë veprimet ushtarake kundër Teheranit.

Trump, në një intervistë telefonike për Axios, e përshkroi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin si “50/50 të forta”.

Presidenti shtoi gjithashtu se rezultati mund të çojë ose në një marrëveshje “të mirë”, ose në një vendim të ShBA-së për “ta shkatërruar plotësisht Iranin”, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv

Sipas Axios, Trump tha se në takimin për shqyrtimin e përgjigjes së fundit të Iranit do të marrin pjesë i dërguari Steve Witkoff dhe këshilltari Jared Kushner, ndërsa në bisedime pritet të marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti JD Vance.

 Më herët të shtunën, zyrtarë amerikanë dhe iranianë sinjalizuan se mund të jenë më afër një marrëveshjeje kornizë për t’i dhënë fund konfliktit, pas ndërmjetësimeve nga Katari dhe Pakistani në Teheran.

“Mund të ketë lajme më vonë sot. Nuk kam lajme për ju në këtë moment, por mund të ketë pak më vonë gjatë ditës. Mund të mos ketë. Shpresoj që të ketë, por nuk jam i sigurt ende,” tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, për gazetarët në Nju Delhi të shtunën.