Tifozi anglez “zhduket” duke shkuar në SHBA për Botërorin; gjendet në një bar të Barcelonës pas 10 ditësh

Duhej të ishte udhëtimi i jetës. Një fluturim drejt SHBA për të ndjekur Anglinë në Botërorin 2026, por për 10 ditë, Michael Hewitt, 65 vjeç, u konsiderua i zhdukur dhe u kërkua nga familja e autoritetet britanike, ndërsa ai, pa e ditur aspak, po ndiqte ndeshjet… i ulur rehat në lokalet e Barcelonës.

Gjithçka ndryshoi gjatë tranzitit në qytetin katalanas. Menjëherë pas mbërritjes, ai humbi telefonin celular, ku kishte biletat dhe të gjitha informacionet për udhëtimin drejt SHBA-së. Pa mundësi për të rikuperuar të dhënat dhe pa numra kontakti të familjes, vendosi të mos e vazhdonte udhëtimin.

Duke pasur ende pasaportën, paratë dhe kartat bankare, tifozi anglez vendosi të qëndronte në Barcelonë dhe ta ndiqte Botërorin në lokale. Ndërkohë, familja kishte raportuar zhdukjen, kishte nisur kërkimet edhe Ministria e Jashtme britanike.

Zgjidhja erdhi përmes pagesave me kartë krediti, që ndihmuan ambasadën ta gjente në një hotel dhe ta lidhte me familjen. Historia përfundoi me lehtësim: ai nuk ishte zhdukur, thjesht po shijonte “Botërorin e tij” në Barcelonë.

 

 

The post Tifozi anglez “zhduket” duke shkuar në SHBA për Botërorin; gjendet në një bar të Barcelonës pas 10 ditësh appeared first on Telesport.